Në listën e publikuar nga hakerat iranianë, Report Tv ka zbuluar se ndodhen edhe emrat e 2 ministrave, Elisa Spiropali, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Niko Peleshi, Ministër i Mbrojtjes, përfshirë edhe ish-ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli apo deputetin e partise se Lirise Agron Çela.
Report Tv iu drejtua me një kërkesë zyrtare Policisë së Shtetit për të mësuar nëse këta zyrtarë janë të dyshuar sit ë përfshirë në ndonjë ngjarje kriminale. Përmes Koordinatorit për Informim Gentian Mullaj, Policia e Shtetit tha asnjëri prej 2 ministrave dhe ish-ministres nuk janë të dyshuar.
“Kategorikisht nuk janë të përfshirë në veprimtari kriminale apo në hetime për ngjarje kriminale, as dy ministrat dhe as ish-ministrja, po ashtu edhe shumë emra të tjerë të publikuar nga hakerat, në këto lista”, tha Policia në reagimin për Report Tv.
Por si e justifikon policia e Shtetit prezencën e këtyre emrave në këto lista të publikuara nga hakerët?
“Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave”, u tha në reagimin për Report Tv.
Mes emrave që siç thotë Policia e Shtetit nuk kanë asnjë lidhje me ngjarje kriminale, janë dhe shumë qytetarë, por edhe gazetari i mirënjohur Armand Shkullaku.
Burimet zyrtare policore instistojnë që lista MEMEX që hakerat pretendojnë të kenë publikuar dhe zyrtarisht duhet të ketë emrat e të dyshuarve, nuk është origjinale, duke saktësuar se të dhënat e nxjerra nuk kanë lidhje me databazën e sistemit policor MEMEX.
Në fakt, në listën e publikuar nga hakerët iranianë, nuk kuptohet se ku e ka origjinën kjo database. Ka dhe një element të dukshëm në krye të çdo faqeje me fotot e të pretenduarve qytetarë të dyshuar, ku shkruohet në anglisht: Albanian suspects (Shqiptarët e dyshuar). Nëse database do të ishte e Policisë Shqiptare dhe në të janë emra të shqiptarëve të dyshuar, përse dokumenti duhej të ishte në gjuhën angleze./m.j