Prej dhjetë muajsh një proces gjyqësor penal kundër dy mjekëve nuk po bëhet e mundur që të startojë për shkak se për njërin nga të pandehurit ka qënë e vështirë për ta njoftuar për gjykimin e tij në Shqipëri.
Shtetasin turk Hakan Gundogan, me profesion mjek estetist dhe që jeton në Stamboll , ndodhet nën akuzë për mjekim të pakujdesshëm me pasojë shëmtimin e trupit të një gruaje. Së bashku me të është nën gjykim edhe mjekja tjetër në një spital privat Rezarta Kapa.
Që nga muaji maj 2015 atëherë kur është shënuar seanca e parë, procesi është zhvilluar me dyer të mbyllura pasi gjykata penale e konsideron sensitive ruajtjen e identitetit të kallëzueses. Gruaja që aktualisht jeton në Itali, ka vënë në lëvizje prokurorinë e Tiranës gati dy vjet më parë.
Ajo pretendon se kishte kërkuar operacion estetik në gjoks dhe në bark, por mjekët në vend që ta zbukuronin i kanë shkaktuar dëmtime dhe plagë, mes tyre edhe të vendosjes në mënyrën e papërshtatshme të silikonit. Së bashku me hetimin e prokurorisë që tashmë ndodhet në gjykatën penale, avokatët e saj kërkojnë që gruaja të dëmshpërblehet për dëmtimet në trup.
Megjithëse përgjatë 11 seancave gjykata ka tentuar të çelë procesin, kjo ka qënë e pamundur. Fillimisht sepse përmes letëroporosive të dërguara, Gundogan është dashur kohë që ai të vihet në dijeni dhe të caktojë një avokat që do ta përfaqësojë në mungesë. /Top Channel/