Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Fatos Sulaj, i akuzuar për “vrasje të punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “krijimi i grupit të strukturuar kriminal” dhe “veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, për një seri ngjarjesh të ndodhura në Mars 2013, fillimisht në burgun e Trikallës në Greqi dhe më pas në disa zona të tjera të Greqisë. Gjykimi është zhvilluar me procedurë të shkurtuar, në bazë të të cilës, të pandehurit I ulet 1/3 e dënimit, në rast se shpallet fajtor. Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon si dënim përfundimtar 25 vjet burgim.
Shtetasi Fatos Sulaj ka qenë i burgosur në kohën e ngjarjes në burgun e Trikallës dhe, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë arritur të arratisen, me ndihmën e disa personave të armatosur nga jashtë burgut. Gjatë arratisjes, personat, përfshirë edhe Fatos Sulaj, akuzohen se kanë qëlluar me armë në drejtim të efektivëve të policisë së burgut, duke plagosur dy prej tyre.
Pasi ka mundur të arratiset nga burgu, i pandehuri Sulaj, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë kryer disa grabitje me armë dhe më pas janë larguar në drejtim të Shqipërisë, ku edhe është arrestuar në vitin 2014.
Pas arrestimit, autoritetet greke dërguan materialet në ngarkim të të pandehurit Fatos Sulaj, dhe ndaj tij filloi procesi gjyqësor pranë Gjykatës për Krime të Rënda.
I pandehuri kërkoi gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila u pranua nga Gjykata, e cila vlerësoi se çështje mund të zgjidhej me gjendjen në të cilat ishin aktet në ngarkim të të pandehurit. Në përfundon të procesit gjyqësor, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, në bazë të të cilit ulet 1/3 e dënimit Prokuroria kërkon dënimin e tij përfundimtar me 25 vjet burgim.
Sipas veprave penale për të cilat akuzohet, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon në mënyrë të detajuar, si më poshtë:
Deklarimin fajtor te pandehurit Fatos Sulaj, për kryerjen e veprave penale;
– “Pjesëmarrje në Grupin e strukturuar Kriminal” dhe dënimin e tij me 4 ( kater) vjet burgim.
– “Vrasjes me dashje e kryer ndaj funksionarit publik, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar Kriminal, mbetur në tentativë ndaj gardianit të burgut Karras Konstatinos, dhe dënimin e të pandehurit me burgim te perjetshem.
– “Vrasje me dashje e kryer ndaj funksionarit publik, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar Kriminal, mbetur në tentativë ndaj gardianit të burgut Dhimitros Michail, dhe dënimin e të pandehurit me burgim te perjetshem.
– “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, dhe dënimin e tij me 10 ( dhjete) vjet burgim.
– “ Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe dënimin me tre vjet burgim.
– “Vjedhje së pasurisë të kryer në bashkëpunim” dhe më shumë se një here, dhe dënimin e tij me 5 ( pese) vjet burgim.
– “Vjedhje me armë, në bashkëpunim dhe denimin e tij me 15 ( pesembedhjete) vjet burgim
Bashkimin e dënimeve me një dënim të vetëm duke e dënuar të pandehurin me burgim te perjetshem.
Ne aplikim te nenit 406 te Kodit te Procedures Penale uljen e dënimit me një të tretën duke e dënuar të pandehurin me 25 (njezetepese) vjet burgim.