Partia e Lirisë dhe PD e Sali Berishës nuk kanë ende një strategji të qartë sesi do futen në zgjedhjet e ardhshme vendore, nëse do kenë një kandidat, apo do dalin me kandidatë të ndryshëm.
Zv.kryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho tha në ‘Studio Live’ në Report Tv se është e rëndësishme që këto zgjedhje të fitohen nga opozita.
Në një intervistë për gazetarin Arbër Hitaj, zv.kryetari Nesho shpjegoi se Partia e Lirisë ka si synim që të sigurojë shumicën në Këshillat Bashkiakë.
“Akoma nuk është përcaktuar. Ka një mekanizëm PD që kalon në primare, ne kemi kandidatët tonë. Problemi kryesor joni nuk është çështja e fitimit të bashkisë për njërin parti ose tjetrën. Ne kemi rënë dakord si front i përbashkët opozitar që duhet të fitojmë. Ne do të jemi një front i përbashkët me PD. Aksioni opozitar është i unifikuar Nuk ka rëndësi për ne sesa bashki do marrim dhe sa do jenë përfaqësuesit tonë në këto bashki, por ne do luftojmë që këshilltarët e bashkive të jenë përfaqësuesit tonë dhe ne t’i kthejmë këto në parlamente të zërit dhe aspiratave popullore. Është një formë e demokracisë direkte”, tha Nesho në Report Tv.
Nga ana tjetër, politologu Adri Nurellari thotë se do duhen shumë negociata mes PD-së së Berishës dhe Partisë së Lirisë që të arrijnë një koalicion që të funksionojë dhe mbi të gjitha të përfaqësoje interesat e të dy palëve. Ndërsa garën brenda opozitës, Nurellari e sheh të vështirë, teksa thekson se Rithemelimi dhe PL do ta kenë të vështirë të arrijnë rezultatin e dëshiruar kur përballë kanë grupin e Enkelejd Alibeajt që nuk iu bashkohet.
“Secila palë do synojë të maksimizojë pozicionin, për të siguruar një rezultat sa më të mirë të partisë së tyre. kemi një provojë të kaluarës, gara 2011. Gjërat nuk shkuan aq mbarë sa pritej, pavarësisht se koalicioni PD-LSI mori numrin më të lartë të asamblistëve të Durrësit, por kandidati i përbashkët nuk fitoi. E njëjta gjë ndodhë edhe në Elbasan. Tregon që pavarësisht interesave është e vështirë të ketë një ngjizje. Do duhen shumë kohë negociata që të sigurohen që ky koalicion të funksionojë, për të mundësuar një shfrytëzim sa më eficent të rezultatit. Kemi edhe një fraksion të opozitës, grupi që ndjek Bashën, që me shumë mundësi do marrin pjesë në garë. Për këtë arsye, PD-Partia e Lirisë do i duhet të ecë me hapa të kujdesshëm pasi rezultati i dëshiruar do jetë i vështirë për të arritur nëse opozita do ketë edhe një zë tjetër alternativ që nuk bashkohet me ta”, tha Nurellari.
Në lidhje me zgjedhjet vendore, pati sot edhe një prononcim nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili tha se opozita duhet të dalë të dalë me një kandidat të përbashkët, pasi ndryshe do të humbin. Nga ana tjetër, Sali Berisha ka deklaruar se do zhvillojnë primaret në parti.
/e.d