Kontrolli mjekësor, i njohur si check-up, ka zbuluar raste tepër të rënda te pacientët. Lajmi konfirmohet nga drejtoresha e Poliklinikës Nr.1 të kryeqytetit, Anila Rexha. Duke folur për Shqiptarja.com, Rexha thotë se kontrolli bazë i kryer te grupmoshat 40 deri në 65 vjeç ka evidentuar raste te pacientë të cilët nuk e dinin që vuanin nga këto sëmundje.
“Dy pacientë kanë përfunduar në operacion pasi kanë kryer check-up sepse janë evidentuar probleme të rënda të zemrës dhe të mushkërive. Nëse këto raste nuk do ishin kapur në kohë, do të ishin fatale” – thotë doktoresha Anila Rexha.
Sipas saj, përgjatë muajve të fundit ka pasur një fluks shumë të madh të njerëzve të cilët kërkojnë t’i nënshtrohen këtij kontrolli. Prej një viti, në të gjithë vendin ka nisur programi i check-up, që ka për qëllim kontrollin shëndetësor falas të grupmoshave 40-65 vjeç.