Një ngjarje e pazakontë dhe e rëndë ka ndodhur në klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Universitare të Kosovës, ku një infermiere ka ngatërruar familjen që do t’i jepte foshnjën.
Në repartin ku ajo punonte në të njëjtën kohë kanë lindur dy foshnja, njëra pa shenja jete dhe tjetra e gjallë.
Njëra prej grave shtatzëna është paraqitur në spital me komplikacione, ndërsa mjeku i rastit shpjegon se evidentimi i vdekjes së foshnjës ishte i pamundur.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekësve nuk kanë arritur ta shpëtojnë foshnjën, ndërsa në këtë moment ka ndodhur ngatërresa.
Pacientja ishte informuar që foshnja e saj kishte lindur pa shenja jete, pasi kishte qenë në anestezi lokale.
Infermierja, jashtë autorizimit, ka dalë nga salla me foshnjën në duar dhe ia ka prezantuar pacientes si fëmijën e saj.
Për këtë rast është bërë denoncimi në polici për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor në spitalin e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj tha se ka ndodhur një ngatërresë nga një infermiere e repartit të Neanatologjisë.
“Rreth orës 19:40, një paciente në javën 34 të shtatzënisë ka pasur hipertension dhe më pastaj gjakderdhje, në këto raste vdekja e foshnjës është pothuajse e paevitueshme, menjëherë është përcjellë në sallë për operacion, prerje cezariane dhe fatkeqësisht nuk ka mbijetuar foshnja, për të cilën është informuar pacientja, meqë ka qenë nën anestezion lokal.
Kur ka dalë nga salla, një infermiere e neanatologjisë me një foshnjë tjetër që ka lindur në atë kohë i ka thënë kjo është foshnja juaj, jashtë autorizimit të saj. Këtu ka ndodhë ngatërresa, mjeku kujdestar përsëri i ka informuar se foshnja nuk ka mbijetuar, dhe përpos mjekut kujdestar nuk guxon askush të japë informacione”, ka sqaruar Ndrejaj që shton se ndaj infermieres do të merren masa disiplinore.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, duke njoftuar se infermierja ka dhënë informacion të paautorizuar, e cila ka shkaktuar ngatërrim të informacioneve.
“Ngatërrimi i infermieres ka ardhur, pasi në të njëjtën kohë ka pasur edhe një lindje tjetër. Infermierja e Klinikës së Neonatologjisë ka dhënë informacion jo të autorizuar duke ngatërruar rastet, keqinfromuar prindërit. Në lidhje me foshnjën e vdekur, gjatë kohës së kryerjes së lindjes, pacientja që po kryente lindjen është njoftuar nga gjinekologët për komplikimet shëndetësore dhe se foshnje e saj nuk do të mbijetonte”, sqaron ShSKUK.
Njëkohësisht është kërkuar raport i detajuar nga ana e stafit përgjegjës të natës së kaluar.
Sipas tyre për dhënie të informatave janë të autorizuar vetëm mjekët, shefat e reparteve, apo drejtorët e klinikave që përcjellin gjendjen shëndetësore të pacientëve, por jo infermieret dhe punonjësit e tjerë që nuk janë marrë direkt me trajtimin e rastit.
Policia njofton se dyshimet janë ndërlidhur me informimin e menjëhershëm pas lindjes se foshnja e tij është pa shenja jete nga ana e personelit të klinikës, ndërsa shton se është nisur hetim për veprën penale “trajtim jo i duhur mjekësor”./m.j