Ish-drejtori i klubit sportiv Partizani, Isa Tare thotë se privatizimi i truallit ku kryente aktivitetin sportiv skuadra kryeqytetase, është bërë me ndërhyrjen e ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Tare u shpreh se privatizimi u bë pa të drejtë dhe shtoi se prona i interesonte Berishës.
“Unë besoj se ky hetim duhet të shkojë deri në fund që të zbardhet problemi i privatizimit të klubit sportiv Partizani, ku unë kam qenë që nga viti 1958 deri në 2005, kur u largova si ish-drejtor i klubit.
Kjo ka qenë nga ndërhyrja që ka bërë ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe ndërhyrja kryesore ka qenë e ish-kryeministrit Sali Berisha, që i interesonte që ta merrte këtë pronë padrejtësisht dhe u shkatërrua një klub me tradita mbi 50-vjeçare”, theksoi ai.
Isa Tare deklaroi se Arben Imami ka përgjegjësinë kryesore për privatizimin e truallit ku ushtronte aktivitetin skuadra kryeqytetase.
Tare u shpreh se Imami ka firmosuar për ta privatizuar truallin, sipas tij, në mënyrë të padrejtë. Ai u shpreh se SPAK duhet të marrë në pyetje Imamin në lidhje me këtë çështje.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është thirrur këtë të mërkurë si deklarues për hetimin që ka nisur për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, privatizim i kryer në kohën kur ai ishte ministër.
Kallëzimi për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” ku është ndërtuar një kompleksh pallatesh, është bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
/a.r