Nga Kozeta Kurti
Edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, Tirana International Film Festival (TIFF) ngre siparin mbrëmjen e 24 shtatorit në mjediset e Kinema Millenium në Tiranë.
Gjeografia e pjesëmarrjes është e gjerë, me filma nga Europa, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut, Azia dhe Afrika.
Nga 2918 filma që aplikuan këtë vit nga 109 vende të botës, janë përzgjedhur 243 filma, nga të cilet 209 filma të shkurtër dhe 34 filma të metrazhit të gjatë. Të gjithë filmat e përzgjedhur janë premiera kombëtare, por janë edhe shumë premiera botërore, internacionale, Europiane dhe Ballkanike.
Vihet re pjesëmarrja e filmave studentorë dhe e regjisorëve debutues.
Një prej kategorive me hapësirë në Festival është ajo e dedikuar fëmijëve (Kid’s), me filma të ndarjë për dy grup mosha, 5-11 vjeç dhe 11-15 vjeç.
FOCUS këtë vit i është dedikuar regjisorit më të madh finlandez të të gjitha kohërave, Aki Kaurismäki me një retrospektivë nga krijimtaria më e mirë filmike e tij e vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa TIFF do të çelet me filmin dokumentar të regjisorit të njohur botërisht Giuseppe Tornatore, që i dedikohet Grande Maestro, Ennio Morricone, film dokumentar i shfaqur vjet në Venezia.