Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit 14”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve.
Operacioni, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë.
Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm.
Procedohen penalisht edhe 14 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Sekuestrohen një automjet, dy aparate celulare dhe 1500 € të dyshuara të përftuara nga ky aktivitet kriminal.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune hetimore disajavore, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas transportonte emigrantë, nga kufiri me Greqinë në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 14”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. A., 59 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Vorë, duke transportuar me një automjet, 14 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar transportimin nga kufiri grek në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 14 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
g.kosovari