Siguria në vendin tonë është cenuar seriozisht gjatë muajve të fundit, kur vendi është përballuar me sulme kibernetike dhe publikime të të dhënave personale të qytetarëve.
Sulmi më i ashpër ishte ai ndaj AKSHI-t në muajin korrik. Eksperti i IT-së, Erion Demiri, thotë se sulme ndaj faqeve zyrtare qeveritare apo të institucioneve mund të ketë pasur edhe më herët dhe ne e kuptuam në 15 korrik, kur hakerat vendosën të bëhen publikë.
“Nëse ata s’do ishin bërë publik, ndoshta s’do e kishim marr vesh kurrë. Ata mund të kenë bërë të njëjën gjë më herët.
I ftuar në “Top Story” ne Top Channel, Demiri thotë se sulmet e muajve të fundit kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe thekson se çështja duhej trajtuar më me seriozitet dhe ekipet e ekspertëve të punonin më shumë për sigurinë e sistemeve.
“Që në fillim kam menduar që kanë lidhje me njëra-tjetrën. Kur sheh që ka një sasi rrjedhje të dhënash, në kohë të ndara nga njëra-tjetra, duhet parë më me seriozitet
Skuadrat që merren me mirëmbajtjen e këtyre sistemeve duhet të ndërgjegjësoheshin dhe ta trajtonin me seriozitet çështjen”.
Aktualisht sistemi TIMS paraqet probleme pas sulmit që pësoi të premten në mbrëmje. Komisariatet nuk mund të ofrojnë shërbime, ndërsa në pikat kufitare, duke nisur nga Rinasi, policët vetëm fotografojnë pasaportat.