Historiani Pëllumb Xhufi e konsideron shumë të rëndësishme vizitën që presidenti italian, Sergio Mattarella, zhvilloi sot në vendin tonë. Megjithatë, sipas Xhufit, pritja që iu rezervua atij duhej të ishte e një niveli më të lartë.
Këtu kanë ardhur edhe presidentë të tjerë, presidenti Ciampi, para tij Scalfaro, dhe më pas Napolitano. Kontaktet politike i hapin rrugë zhvillimit të marrëdhënieve në fusha të tjera. Është domethënëse që presidenti i Italisë, mik i Shqipërisë, shumë i respektuar në Itali, lë shenjën e tij me këtë vizitë.
Do ishte mirë që presidenti Matarella të pritej në nivele më të denja, siç e meriton. Nuk e di çfarë mesazhi përcillet me pritjen nga ministrja e Arsimit, ndoshta marrëdhëniet në fushën e kulturës dhe arsimit janë prioritare me Italinë, ndërkohë që ne kemi prioritete të tjera.
Kur erdhi Berluskoni u rreshtua e gjithë qeveria, edhe pse nuk ka pasur ndonjë meritë. E gjithë qeveria e rreshtuar në aeroport, e tepruar si pritje. Por edhe kjo e sotmja ishte e mangët.
Në studion e lajmeve të MCN TV, Xhufi tha se Italia dhe Turqia mbeten dy vendet partnere të Shqipërisë në Europë, megjithëse raportet me të dyja kanë disa nuanca.
Marrëdhëniet me Italinë nuk janë më pak të forta se me ato me Turqinë. Të dyja janë partnerë shumë të rëndësishëm. Në marrëdhëniet me Turqinë janë edhe marrëdhëniet personale mes Ramës me presidentin Erdogan. Nuk ka gjë të keqe. Por në Perëndim raportet personale nuk mbivlerësohen. Një kryeministër apo president konsiderohet thjesht përfaqësues i vendit të tij.
/a.r