Partia e Lirisë përkrah vendimin e qeverisë për shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, njoftoi sot zv. Kryetari i PL-së, Agim Nesho.
Nesho e cilësoi të drejtë, por të vonuar masën, ndërsa tha se qeveria duhet të reflektojë dhe të jetë më e qartë në politikën e jashtme.
“Qeveria shqiptare sot konfirmoi për ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, si rezultat i sulmit kibernetik ndaj vendit tonë kohët e fundit. Partia e Lirisë, e përkrah këtë masë ekstreme në marrëdhënien diplomatike mes dy vendeve tona, duke e quajtur të drejtë por pak të vonuar ndaj një vendi, që qëllimet e tij ndaj Shqipërisë i ka pasur agresive dhe destabilizuese, burim kërcënimi të papranueshëm për sigurinë kombëtare. Ne mendojmë, që qeveria shqiptare duhet të jetë më e qartë në qëndrimet e saj të politikës së jashtme, në bashkëpunim me aleatët tanë strategjik, BE dhe SHBA, sidomos në kushtet e sotme të cënimit të rendit ndërkombëtar nga fuqi sfiduese si Rusia, Irani, etj., për të mos lejuar shtrirjen e influencave të tyre nëpërmjet projekteve destabilizuese rajonale, qarkullimit pakufizim të shtetasve nga këto vende jo-miqësore, që realizojnë interesa anti-perëndimore. Partia e Lirisë, mendon që ngjarjet e fundit duhet të sjellin reflektim në qeverisje dhe thekson rëndësinë e qartësisë në politikën e jashtme që i duhet Shqipërisë për përshpejtimin e procesit të integrimit europian”, u shpreh Nesho.
g.kosovari