Disa nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë, duke përfshirë këtu disa nga emrat më të lakmuar në tregun e rrjeteve sociale, kanë seli, madje edhe selitë e tyre kryesore në Europë, në Irlandë.
Shteti i Bashkimit Europian ofron shumë lehtësira fiskale për këto kompani, përtej burimeve njerëzore anglishtfolëse, por nga ana tjetër ka edhe rregulla të hekurta për sa i përket mosrespektimit të disa çështjeve sensitive, si për shembull ajo e privatësisë.
Lajmi i fundit për një vendim të tillë është i bujshëm, sepse përfaqëson gjobën e dytë më të lartë të marrë nga një kompani në Europë, për sa i përket shkeljes së privatësisë, pas asaj që Luksemburgu i ka dhënë Amazon dy vite më parë.
Në atë rast, shifra kalonte 746 milionë euro, ndërkohë që gjoba e këtyre ditëve është ndaj Instagram, për një total 405 milionë euro. Sipas rregullatorit irlandez, si pasojë e një investigimi të zgjatur 2 vite, Instagram ka vënë në rrezik emailet dhe numrat e telefonit të miliona përdoruesve të mitur në të gjithë botën.
Kjo nuk është gjoba e parë që Komisioni irlandez i jep një kompanie të grupit Meta, të drejtuar nga Mark Zuckenberg. Vitin e kaluar, Whatsapp u gjobit me 225 milionë euro, Facebook me 17 milionë euro, për një total për grupin që tejkalon 647 milionë euro.
/a.r