Teksa pa nga afër spitalin e ri të Laçit, në ceremoninë që u zhvillua për hapjen e tij, Kryeministri Edi Rama u shpreh se rrogat për mjekët, infermierët dhe mësuesit do të vazhdojnë të rriten pavarësisht krizës. Po ashtu, ai u shpreh se shpreson që së shpejti të ketë një lajm të mirë edhe për pensionistët.
“Me sigurinë që pasi u rritën rrogat edhe një herë apo jo për ju do vazhdojmë t’i rrisim përsëri përtej vështirësive që kemi sepse është shumë e rëndësishme që në këtë fazë kritike kur ka shumë vështirësi dhe janë ndërthurur edhe inflacioni dhe kriza energjetike e kështu me radhë ne vazhdojmë dhe të mbështesim. Kështu që rrogat do të vazhdojnë të rriten për mjekët, infermierët, për ata që punojnë në sistemin shëndetësor, për mësueset, për mësuesit dhe shpresoj që së shpejti do të kemi një lajm të mirë edhe për pensionistët të cilëve do u jemi gjithë jetën në borxh pavarësisht se çfarë do mund të bëjmë se asnjëherë nuk mund të bëjmë asgjë që e shlyen borxhin që kemi ndaj tyre”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria nuk ka boshllëk në infermierë dhe mjekë. Më tej pohoi se ka mjekë dhe infermierë që largohen, kjo për të provuar veten e tyre.
“Pashë disa mjeke të reja që i janë atashuar spitalit të Kurbinit për të dhënë kontributin e tyre pasi kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera në Shkollë. Dua ta theksoj këtë se shpeshherë dëgjojmë të përsëritet se nuk kemi mjekë, nuk kemi infermierë, kanë ikur të gjithë. Për hir të së vërtetës dhe më vjen shumë mirë ta nënvizoj ne nuk e kemi një boshllëk të tillë pavarësisht të pamohueshmes që ka mjekë dhe infermierë të rinj që largohen. Është e drejta e tyre që të provojnë vetën dhe të provojnë një eksperiencë gjetkë. Kemi një sistem që na mundëson shpërndarjen e forcave të reja që mos të kemi boshllëqe”, theksoi Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se në Laç turizmi fetar mund të ndryshojë ekonominë e këtij vendi. Ai u shpreh se po punohet për të ndryshuar infrastrukturën në mënyrë që të ofrohen shërbime në një kohë kur ka ngarkesë për shkak të pelegrinazheve në Kishën e Shna Ndout.
“Jam shumë i lumtur kur vij këtu sepse jo vetëm shoh ato që janë bërë, por e di shumë mirë që do vazhdojnë të bëhen dhe gjëra të tjera që do i japin kësaj zone jo vetëm një pamje tjetër, jo vetëm mundësinë që mijëra familje të jetojnë krejt ndryshe nga çfarë jetonin, por edhe një mundësi më afatgjatë mendoj unë dhe më të rëndësishme për ta parë perspektivën e të jetuarit në këtë vend në një perspektivë të qëndrueshme që është mundësia në këtë zonë për t’u kthyer në një zonë që të gjithë atë fluksin e vetvetishëm të turizmit fetar, që e ka në fakt ngarkesë për hir të së vërtetës sepse në pamundësi për të ofruar shërbime atëherë e gjitha bëhet ngarkesë e madhe me makina dhe njerëz që shkojnë në destinacionin aty… Besoj që pak nga pak do u krijohet mundësia që të rrinë më gjatë, të rrinë një ditë më shumë. Do krijohet mundësia që këtu të ketë shërbime hotelerie. Të gjitha këto që mund të duken të çuditshme sot do të jenë realitet vit pas viti. Po punojmë për të ndryshuar infrastrukturën që lidh qyteti me zonën lart dhe për të parë si mund ta nxisim këtë infrastrukturën e mikpritjes së turizmit fetar”.
/a.r