Anëtarja e Kryesisë së Partisë Social Demokrate, Donjeta Demolli thotë se sulmi me miell i disa aktivistëve të kësaj force politike ndaj ministrit të Financave në Kosovë, Hekuran Murati është aksion simbolik, në mbështetje të grevës së punonjësve të arsimit dhe arrogancës së pushtetit.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Demolli u shpreh se Kosova po përjeton krizë ekonomike dhe se qeveria nuk po dialogon.
“Aksioni i djeshëm i PSD-së ishte aksion simbolik, në mbështetje të grevës së punëtorëve dhe arrogancës dhe pandjeshmërisë së pushtetit ndaj kërkesës minimale të punëtorëve për të përballuar këtë krizë të rëndë ekonomike, e cila po rëndon mbi kurrizin e tyre. Kërkesa e tyre është për 100 euro shtesë deri në miratimin e ligjit të pagave dhe qeveria e Kosovës i është përgjigjur kësaj kërkese me përjashtim nga dialogu, me sulme të njëpasnjëshme dhe me shantazhe. Kosova është duke kaluar një krizë të rëndë.
Ministri ishte ai që ishte në front të këtij ballafaqimi me punëtorët. Fajin e kanë edhe ministrja e Arsimit dhe kryeministri Kurti që i kanë anashkaluar dhe nuk janë përgjigjur kërkesës për dialog”, theksoi Dermolli.
Ministri i Financave në Kosovë, Hekuran Murati u qëllua me miell nga aktivistë të Partisë Socialdemokrate të shtunën.
Aksioni kundër qeverisë është zhvilluar pasi Murati doli nga një lokal në lagjen “Dardania” në Prishtinë.