Teksa Ilir Metaj çdo ditë po këmbëngul se është i pastër, për shkak se siç thotë ai e ka takuar personin F.T. që është në dosjen e ish-Sigurimit, të gjithë pyesin se a po manipulon ish-presidenti njeriun që spiunoi 33 vjet më para.
Megjithatë, gazeta “SOT” po sjell sot për lexuesin detaje rreth kësaj fabule, ku personazhe kryesore janë Meta dhe Filip Talo. Ky i fundit është personi kyç në dokumentet që Autoriteti i Dosjeve thotë që ka zbuluar për Ilir Metën se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ai për herë të fundit është parë duke dalë nga Autoriteti në datën 29 korrik ku mori dosjen e tij.
Filip Talo ka lindur në Lushnje në vitin 1969. Ai rezulton të ketë qenë shok klase me ish-presidentin Ilir Meta në Fakultetin Ekonomik në Tiranë. Në vitin 1989 ai ka dashur të arratiset nga Shqipëria dhe këtë plan ia ka treguar shoku të tij të klasës me inicialet I.M, që për Autoritetin e Dosjeve është Ilir Meta dhe për këtë të fundit Ilir Murataj.
Sipas të dhënave, Filip Talo rezulton që deri në vitin 2013 të ketë punuar në Drejtorinë e Metrologjisë. Ky institucion është në varësi të Ministrisë së Energjetikës dhe Transporteve e cila në atë drejtohej nga Lëvizja Socialiste për Integrim, që drejtonte vendin në koalicion me Partinë Demokratike. Madje, në një raport të Kontrollit të Shtetit bërë në drejtorinë e metrologjisë është edhe emri i Filip Talos.
KLSH kërkon që për këtë person të vendoset një gjobë në vlerën e 100 mijë lekëve apo një masë administrative pasi nuk kishin respektuar procedurat në disa tenderë të zhvilluara. Filip Talo sipas këtij dokumenti, mbante detyrën e kryetarit të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Pas këtij viti sipas informacioneve Talo rezulton të jetojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kthehet herë pas herë në Shqipëri. Ndoshta do t’i duhet të kthehet sërish për t’u pyetur nga Prokuroria, të cilës Ilir Meta i ka kërkuar që ta hetojë këtë çështje./ Gazeta SOT
g.kosovari