Dëgjova dhe disa kolegë që janë të angazhuar si gazetarë panë mediave të tij, që të krahasonin pastaj goditjet ndaj dy pishinave, me goditjet e Berishës ndaj gazetës “Koha Jonë” në vitin 1997. Për fat nuk i krahasuan me goditjet e Berishës ndaj gazetës “Tema”, që kanë qenë po aq dhe në disa raste më të rënda. Besoj se më kanë respektuar duke mos i përmendur. As mediat e Irfanit nuk i kanë përmendur në atë kohë.
Nuk mendoj se sjelljet e pushtetit ndaj një biznesmeni që ka media, nuk ndikohen dhe nga sjelljet e medias. Por në krahasimin mes rastit të Berishës kundër shtypit kritik dhe rastit në fjalë, kemi një raport të përmbysur.
Sali Berisha ka djegur gazetën Koha Jonë dhe është futur në listën e 10 armiqve botëror të shtypit, bashkë me presidentin e Kinës, Kores së Veriut dhe Milosheviqin, pasi e bëri atë me urrejtje dhe për ti dhunuar, ku përveç redaksisë ka gjymtuar përjetë edhe një gazetarë të saj. Ai po ashtu hodhi në erë makinën time para pallatit, rrethoi me policë dhe nuk përfilli vendimin e gjykatës që ndalonte të na nxirrte nga redaksia, duke shkatërruar çdo inventar të saj. E bëri po ashtu me urrejtje, duke shkelur ligjet dhe duke u përpjekur të na frikësoj se kishte gjithçka në dorë.
Nuk po flas këtu pastaj për banditët që vendoste rrugëve të ushtronin dhunë, pasi pozonin me gruan e tij, apo gjobat dhe sjelljet e tjera të dhunës shtetërore. Berisha e ka dhunuar shtypin, kur shtypi ka qenë në rregull me ligjin. Berisha ka dhunuar ligjin për të dhunuar shtypin.
Pushteti i Edi Ramës në këtë rast por dhe raste të tjera ka një sjellje të kundërt, natyrisht jo për tu lavdëruar. Ky pushtet e ka lejuar median të korruptohet dhe të privilegjohet dhe kur media tenton ta shantazhoj, ai natyrisht i heq privilegjet. Rasti në fjalë është tipik. Ai i ka dhënë në parim një leje resorti të kushtëzuar në Golem, por duke menduar si biznesmen i privilegjuar, ai kushtet e saj nuk i ka plotësuar kurrë, lejen nuk e ka bërë të vlefshme dhe e ka zhvilluar pronën në kushtet e paligjshmërisë. Natyrisht e gjithë kjo nën sytë e pushtetit që e ka toleruar. Ka dhe plot media të tjera të mëdha që e kanë bërë këtë. Historitë e lobimeve të Tv Klan në bregdetin e jugut apo Lalëz, janë i njëjti model. Pra kemi një histori mediash të privilegjuara nga pushteti.
Ajo që po bën pushteti në këtë rast është thjesht po i heq privilegjet që i ka lejuar. Po i kërkon taksat e resortit, po i verifikon ligjshmërinë e lejes, cilësinë e ujërave, taksat e doganave dhe tatimeve etj. Kur bëhen bashkë duket se janë shumë dhe duket qartë se shteti bashkë me Hysnebelliun është zhytur po ashtu në paligjshmëri. Dhe kjo kërkon kurbanin e vet dhe nga ana e shtetit.
E njëjta histori është dhe me afatet e godinave të marra me qira nga shteti. U kanë mbaruar afatet dhe qeveria nuk dëshiron ti përsëris. Ai po mbrohet me gjykatë dhe vendimet po i respektohen. Vendimin tim të gjykatës Sali Berisha e hodhi në kosh të plehrave dhe nuk na la të merrnim as xhaketën.
Diferenca mes një pushteti represiv si ai i Berishës dhe Metës dhe një pushteti që toleron paligjshmërinë e bizneseve të atyre që kanë media, në thelb është i pamorlashëm, por jo i njëjtë.
Dhe kur sot shikoj në këmbë si avokat të lirisë së medias, Sali Berishën dhe Ilir Metën, natyrisht që ndjehem i pafuqishëm ti barazoj me Edi Ramën. Ky i fundit nuk duhet të pastroj Irfanin nga paligjshmëria, se ajo është punë e ligjit. Ky duhet të pastroj pushtetin nga qokat dhe tolerimi i bizneseve që kanë media të cilët në një ditë kur ballafaqohen me ligjin, dëshmojnë se mediat nuk i kanë për publikun por për kokën e tyre. Madje dhe për kokën e Sali Berishës e Ilir Metës, që janë dhunuesit e saj.
Mero te kam lexuar shpesh, dhe me shume per teknIken e qartesine ne te shprehurit shkurt te mendimit dhe te them te drejten me je dukur interesant.
Ke kohe qe zgjatesh… Gjej kohe te jesh i njejti ne stil,pamvaresisht ceshtjes qe trajton:
Te pershendes!