Presidenti rus, Vladimir Putin ka bërë një deklaratë të fortë, ndërsa tha se Ukraina është “enklavë anti-ruse” dhe eliminimi i saj është një prej qëllimeve të luftës që ka nisur Rusia më shumë se gjashtë muaj më parë.
Putin e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi me disa nxënës në Kaliningrad, sipas agjencisë së lajmeve Interfax, raporton dpa.
“Për këtë arsye njerëzit tanë janë duke luftuar atje. Ne jemi duke mbrojtur banorët e Donbasit dhe vetë Rusisë”- deklaroi ai.
Enklava është një territor i huaj që rrethohet nga një territor tjetër. Me një formulim të tillë, lideri i Kremlinit ka shpërfaqur synimet për pronësi të gjithë Ukrainës fqinje.
Deklarimi zyrtar nga ana e Rusisë për luftën në Ukrainë ka qenë “çlirimi” i rajoneve Donjeck dhe Luhansk nga nacionalistët ukrainas. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
/e.d