Momente të këqija për të arrestuarit në Deçan. Raporti i balistikës dhe ekzaminimi i telefonatave do të tregojnë nëse me armët që iu gjetën të arrestuarve në afërsi të Manastirit të Deçanit, u qëlluan në dy sulmet në Gorazhdec apo në ndonjë sulm tjetër. Nëse kjo vërtetohet ata do të dyshohen për sulme terroriste. Nga ana tjetër, Prokuroria po heton ata për armëmbajtje pa leje . Një flamur i zi me mbishkrime në gjuhën arabe që besohet të jetë simbol i organizatës terroriste – “Shtetit Islamik”, është gjetur nga Policia gjatë bastisjes në shtëpinë e Kushtrim Kurtit nga Gjakova, që është njëri prej katër të arrestuarve në afërsi të Manastirit të Deçanit.
Megjithatë, Arben Ymeri nga Zllatari i Prishtinës, Alban Kelmendi nga Ferizaj, Kushtrim Kurti dhe Kushtrim Rama nga Gjakova në këtë fazë po hetohen vetëm për armëmbajtje pa leje, pasi që gjatë bastisjeve në veturën e tyre u gjetën armë, sikurse armatim është gjetur edhe gjatë bastisjes së shtëpive.