Ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha, priti sot në një takim, Sekretaren e Shtetit për Zhvillim e Bashkëpunim të Suedisë, znj. Ulrika Modeer. Ministrja Gjosha, shprehu falënderimet në emër të qeverisë shqiptare për mbështetjen e çmuar që Suedia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve për procesin e integrimit dhe veçanërisht statusin e vendit kandidat.
Bashkëbisedueset shprehën gadishmërinë që Shqipëria dhe Suedia të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin e tyre, për forcimin e parametrave të sigurisë europiane duke iu përgjigjur kështu sfidave të reja globale që kërcënojnë të gjitha shoqëritë demokratike.
Gjatë takimit u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve suedeze në Shqipëri, ecurinë e reformave dhe 5 prioriteteve që vendit i janë lënë për tu plotësuar lënë nga Komisioni Europian.
Pas takimit Ministrja Gjosha dhe Sekretarja e Shtetit për Zhvillim e Bashkëpunim të Suedisë, znj. Ulrika Modeer, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.
“E falenderova znj. Modeer për vëmendjen që Suedia ka shprehur ndaj Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor, duke qenë nxitëse e politikës së zgjerimit dhe zhvillimit të vendeve tona. Bashkëpunimi me Suedinë ka qenë dhe mbetet i jashtëzakonshëm në shumë fusha”, tha Ministrja Gjosha.
Ministrja përmendi se Suedia ka mbështetur Shqipërinë nëpërmjet Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), në reformën administrative dhe territoriale si dhe në mbështetjen e reformave për përmirësimin e punës në Zyrën Shqiptare të Tatimeve, Zyrës së Statistikave Shërbimin shqiptar të Punësimit, por dhe një sërë sektorësh të tjerë.
Ministrja Gjosha, u shpreh se Shqipëria do të punojë shumë, për plotësimin e 5 prioriteteve, për miratimin e reformës kyçe aq shumë të kërkuar nga qytetarët Shqiptarë që është reforma në drejtësi.
“Unë shpresoj shumë që gjatë muajve në vijim, të kemi një dialog politik për reformën, miratim të saj në parlament, sepse siç e kam thënë gjithmonë vendet anëtare dhe qytetarët shqiptare presim që me anë të kësaj reforme t’i hapet rruga Shqipërisë për hapjen e negociatave, pse jo edhe brenda këtij viti”, tha Ministrja Gjosha
Sekretarja e Shtetit për Zhvillim e Bashkëpunim të Suedisë, znj. Ulrika Modeer u shpreh se Suedia është një partnere afat gjatë e Shqipërisë, në terma ekonomikë dhe Mjedisore. Suedia është gjithashtu një nga kontribuueset më të mëdha me rreth 8 milionë euro investim në vit.
“Nga ana e tjetër isha e lumtur të dëgjoja për ecurinë që ju keni arritur dhe progresin që keni shënuar me 5 prioritetet kyçe. Së bashku me Komisionin Europian, kemi ndjekur atë çka ka bërë nga afër Shqipëria dhe mbështesim si zgjerimin e BE-së ashtu edhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kësisoj mes këtyre reformave, reforma në drejtësi është ajo më e rëndësishmja që kërkohet nga partnerët europiane dhe qytetarët shqiptarë.. ”, tha Sekretarja e Shtetit për Zhvillim e Bashkëpunim të Suedisë.
Znj. Modeer u shpreh se Suedia do të vazhdojë të jetë mbështetëse e Shqipërisë dhe në këtë kuadër do ta ndjekë ecurinë e reformës në drejtësi.
Suedia, mbështet Shqipërinë përmes Strategjisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim 2014-2020, ku pavarësisht krizës globale ekonomike, projektet zhvillimore për Shqipërinë mbeten të paprekura dhe në të njëjtin nivel me atë të viteve më parë.
Në Shqipëri, referuar kësaj strategjie, asistenca që do të ofrohet për një periudhe 7 vjeçare. Mbështetja do të orientohet në tre drejtime kryesore: Në nxitjen e integrimit ekonomik me BE dhe zhvillimin e ekonomisë se tregut, në forcimin e demokracisë, respektimin me te madh te drejtave te njeriut dhe zhvillimin e shtetit ligjor, në ë çështje te mjedisit dhe kufizimin e impakteve me efekte ne mjedis dhe ne ndryshimet e klimës.
Sipas Strategjisë së Suedisë për Bashkëpunim për reforma me vendet Ballkanit Perëndimor për periudhën 2014-2020, Qeveria Suedeze do të alokojë rreth 420 milion euro do të shkojnë në formë të ndihmës për vendet e Ballkanit Perëndimor .