Prokuroria po pret letër-porosinë e dërguar në Amerikë. Ministri minoritar i bëri notë verbale ambasadës për tre “punonjës”, dyshohet se mori nga 30 mijë euro për person.
Ish-ministri i Punës në kabinetin “Berisha”, Spiro Ksera, është nën hetim edhe për trafik njerëzish drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Burime nga akuza qendrore pohojnë për gazetën “Shqip” se prej disa vitesh kjo çështje po qëndron në Prokurorinë e Tiranës, ku janë bërë një sërë verifikimesh. I njëjti grup hetimor që urdhëroi arrestimin para disa ditësh, i kryesuar nga prokurori Ndini Tavani, ka në dorë këtë çështje. Mësohet se hetimet janë mbajtur “peng” nga drejtësia e SHBA-së, pasi akuza ka kërkuar ndihmë juridike në këtë shtet, ku mendohet se janë edhe tre “punonjësit” e Ministrisë së Punës. Në fakt, tre personat që kanë shkuar në Amerikë nuk kanë qenë asnjëherë punonjës, por ministria përgatiti disa dokumente, madje i bëri edhe një notë verbale ambasadës për dërgimin e tyre në një seminar përtej Atlantikut. Pas përfundimit të seminarit, tre “vartësit” e Kserës nuk kanë ardhur në Shqipëri.
Hetimet në SHBA
Prej më shumë se një viti e gjysmë, njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka nisur në SHBA një letër-porosi për të pyetur emigrantët në atë shtet. Kërkesa u bë në momentin që prokuroria përfundoi hetimet për disa punonjës të Ministrisë së Punës, të cilët akuzoheshin për shpërdorim të detyrës dhe falsifikimeve në tenderin e spotit të reklamës për festën e 1 Majit në vitin 2010. Mësohet se procedimi penal në fjalë ka si objekt hetimi dërgimin në SHBA të tre shtetasve shqiptarë që janë hequr si punonjës të Ministrisë së Punës, pa qenë në fakt të tillë. “Ky hetim ka të bëjë me dërgimin në SHBA të tre shtetasve shqiptarë që janë pajisur me vërtetime si punonjës të Ministrisë së Punës pa qenë të tillë”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, dyshohet se zyrtarët e Ministrisë i kanë pajisur tre shtetasit me vërtetime dhe i kanë ndihmuar të aplikojnë për viza të përkohshme amerikane. “Në vitin 2010, Ministria e Punës ka pasur një njoftim nga autoritetet amerikane se tre punonjës të këtij dikasteri duhej të merrnin pjesë në një seminar trajnues dyjavor në SHBA”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, në vend që të dërgoheshin punonjës të Ministrisë, ka rezultuar se janë dërguar në SHBA qytetarë të pajisur me vërtetime false. “Me anë të vërtetimeve false, këta persona janë paraqitur si punonjës të Ministrisë dhe kanë përfituar vizë hyrje e qëndrimi në SHBA për kohën që zgjaste seminari. Pasi ka përfunduar kjo kohë, personat përfitues nuk janë kthyer më në Shqipëri”, vijojnë burimet. Mësohet se nga hetimet e mëpasshme është arritur që një nga tre personat, një vajzë, të gjendet në SHBA dhe të kthehet e detyruar në Shqipëri me procedurën e deportimit. Dy të tjerët mësohet se ende nuk janë gjetur. “Për këtë arsye është dërguar letër-porosi në SHBA ku kërkohen disa prova që mund të ndihmojnë hetimin”, thanë më tej burimet e Prokurorisë.
Skema e trafikut
Mësohet se gjithçka ka filluar në vitet 2010 dhe 2011. Tre persona, dy meshkuj dhe një femër, nga Elbasani, janë “punësuar” në Ministrinë e Punës. Nga verifikimet e mëvonshme rezultoi se askush nuk kishte lidhje me njëri-tjetrin, pavarësisht se ishin banues në Elbasan. Ata u punësuan specialistë të thjeshtë në Ministrinë e Punës, gjatë kohës që drejtohej nga demokrati Spiro Ksera. Akuza ka provuar punësimin e shkurtër të tyre, në bazë të dokumenteve, pasi ish-drejtuesit e kësaj ministrie nuk pranonin të bashkëpunonin. “Nga verifikimet e Njësisë Task-Forcë në Tiranë, ka rezultuar se drejtuesit e Ministrisë së Punës kanë gjetur një aktivitet në SHBA, i organizuar nga një shoqatë. Kjo shoqatë, asnjëherë më parë nuk ka pasur korrespondenca me Ministrinë e Punës Shqiptare”, pohojnë burimet nga akuza qendrore. Akuza ka faktuar edhe mënyrën e pajisjes me vizë amerikane për këta tre persona. “Ka dyshime se ish-shefi i Kabinetit në Ministrinë e Punës, Kleves Bitro, ka qenë ideatori i këtij trafiku klandestinësh. Ai ka kryer të gjitha procedurat për marrjen e tyre në punë, apo ka influencuar te zyrtarët e tjerë, si dhe ka përpiluar edhe një shkresë informuese për ministrin e Punës, Spiro Ksera, për dërgimin e tyre në SHBA”, pohojnë burimet. Më pas, Bitro ka përpiluar nga kompjuteri i tij, një notë verbale për Ambasadën Amerikane në Tiranës, duke i dërguar tre emrat të cilët do të pajiseshin me vizë. Kjo notë verbale i është dërguar për firmë ministrit Ksera, i cili, sipas akuzës, ka firmosur. “Kemi prova se ministri Ksera ka firmosur në këto dokumente” thotë akuzë. Sipas saj, ka dyshime se tre personat nga Elbasani dyshohet se kanë paguar afërsisht 30 mijë USD për person. Megjithëse është një shifër e lartë, akuza thotë se ky trafikim është bërë me komoditetet përkatëse, pasi tre “punëtorët” kanë hyrë legalisht në territorin e SHBA-së, për një kohë të shkurtër dhe të pajisur me viza. Prokuroria ka tentuar të komunikojë me familjarët, por ende nuk ka asnjë të dhënë se ku ndodhen tre personat që emigruan ilegalisht në SHBA, nëpërmjet Ministrisë së Punës./Shqip