Ky zotëri, që shihni në këmbë në portin e Durrësit, afër një autoveture të vogël, në pritje për t’u nisur për në Bari me tragetin “Adria”, është Roberto Fico, president i Parlamentit italian, posti i tretë më i rëndësishëm institucional i vendit fqinj. Roberto Fico mbërriti në Shqipëri 10 ditë më parë për të kaluar këtu një periudhë pushimesh me bashkëshorten dhe një mikeshë të familjes. Asnjë media nuk është informuar, asnjë gazetar nuk e ka ndjekur. Fico, përfaqësues i Lëvizjes 5 yjet (5 Stelle), mbërriti në Shqipëri pa eskortë dhe pa eskortë u kthye në Itali.
Asnjë protokoll, asnjë kërkesë për asistencë konsullore. Sot Roberto Fico qëndroi 2 orë në pritje në radhë në portin e Durrësit bashkë me qindra turistë të tjerë dhe vetëm pak vetë e njohën, përfshi dhe një lexues të Shqiptarja.com që bëri këtë foto.
Me 25 shtator të këtij viti në Itali, do të votohet për të zgjedhur parlamentin e ri dhe me siguri Roberto Fico do të lerë detyrën e tij si President i Parlamentit. Por modestia dhe thjeshtësia që tregon në këtë udhëtim shqiptar, do të duhej të shërbente si shembull jo vetëm për shumë politikanë (apo analistet) shqiptarë, por edhe për pushtetarët italianë që do të marrin vendin e tij./ shqiptarja.com
Roberto Fico në radhë në Portin e Durrësit
President i Parlamentit italian, Roberto Fico
g.kosovari