Emigrantët e paligjshëm shqiptarë që udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar, janë kthyer një shqetësim për autoritetet britanike. Kjo ka bërë që të merren masa për të frenuar sadopak fluksin e emigrantëve që futen në territor me gomone apo mjete të tjera lundruese.
Sekretarja e Brendshme, Priti Patel ka njoftuar krijimin e një skeme për deportimin e shpejtë të emigrantëve shqiptarë nga Mbretëria e Bashkuar.
Daily Mail, ka zbuluar marrëveshjen që Pratel ka nënshkruar me homologun shqiptar, Bledi Çuçin për ekstradimin e shpejtë të emigrantëve.
Sipas kësaj marrëveshje, Home Office në Britani do të marrë me qira avionë në mënyrë që të rikthejë sa më shpejt emigrantët në Shqipëri. Kjo skemë, pritet të nis nga java e ardhshme.
Nëse një emigrant shqiptar do të kërkojë azil, atij do t’i jepet prioritet, por nëse autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar konstatojnë se personi në fjalë nuk ka të drejtë të qëndrojë më në vend, do të ekstradohet menjëherë drejt Shqipërisë.
Oficerët e lartë të policisë shqiptare do shkojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar për të punuar së bashku me zyrtarët e emigracionit vendas. Patel është nën presion për të dhënë rezultate në krizën e emigrantëve shqiptarë.
Grupet pro-emigrantëve gjithashtu mund të përpiqen të bllokojnë skemën e saj të fundit në gjykata, potencialisht sipas ligjeve të të drejtave të njeriut. Zonja Patel tha: “Një numër i madh shqiptarësh po udhëtojnë drejt vendit tonë. Kontrabandistët dhe trafikantët e njerëzve, po i shtyjnë qytetarët shqiptarë që të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme me gomone”.
Bledi Çuçi, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, tha: “Ne i dekurajojmë këto praktika të paligjshme dhe të rrezikshme. Sekretari i Brendshëm dhe unë diskutuam gjithashtu zgjidhje afatmesme për të ofruar mundësi më të mira për të rinjtë dhe mjetet e migrimit legal që u mundësojnë profesionistëve të aftë dhe aksesin e fuqisë punëtore në MB.’
Daily Mail zbuloi javën e kaluar se numri i emigrantëve shqiptarë është rritur në mënyrë eksponenciale dhe përbën më shumë se 60 për qind të atyre në disa kalime me gomone. Rreth 6,000 shqiptarë kanë arritur në Britani në këtë mënyrë që nga fillimi i vitit, duke përfshirë më shumë se 700 brenda një dite në fillim të kësaj jave.
/e.d