Veprimtaria kryesore e Vitit të Kulturës dhe Turizmit Kinë-Itali “Origjina e Italisë – Ekspozita e qytetërimit të Romës së Lashtë”, është hapur në Pekin për mbi një muaj. Qysh nga 10 korriku e deri më sot, kjo ekspozitë ka tërhequr mbi 80 mijë vizitorë kinezë. Kryekuratori i saj, drejtori i Muzeut Kombëtar të Romës, Stéphane Verger, është i mendimit se procesi i punës krijuese në qarqet e muzeve të të dy vendeve dhe entuziazmi i shikuesve kinezë e kanë zgjeruar vërtet bashkëpunimin kulturor kino-italian.
“Origjina e Italisë” rrëfen historinë e Italisë nga shekulli i 4-t para erës sonë deri në shekullin e 1-rë pas erës sonë.
Në vitin 2021, “Origjina e Italisë” u shfaq në muzeun “Le Scuderie del Quirinale”. Pala italiane shpresonte që ta paraqiste të plotë ekspozitën dhe t’i dërgonte të gjitha reliktet e saj në Pekin. Përveç kësaj, është shtuar një pjesë e veçantë, “Dëshmia e kohës”, që shfaq monedhat e lashta italiane.
Drejtori i Muzeut Kombëtar të Romës, Stéphane Verger, shtjellon: “Monedhat janë shumë të rëndësishme. Në këtë ekspozitë janë paraqitur monedha greke, etruske e kelte, dhe tregohet se si, duke u nisur prej tyre, u krye procesi i reformës së monedhave dhe se si, më në fund, monedha e Romës pushtoi tërë Italinë. Këto monedha kanë rëndësi të jashtëzakonshme për Muzeun Kombëtar të Romës.”
Ndër 503 reliktet e çmuara kulturore nga 26 muze kombëtarë të Italisë, ka vetëm një imitim: “Boksieri në pushim”. Skulptura origjinale prej bronzi ka përmasë tepër të madhe dhe s’mund të bëjë udhëtime të gjataKjo është edhe ekspozita e parë ndërkombëtare e zhvilluar prej Muzeut Kombëtar të Kinës në Pekin pas epidemisë. Pala italiane nuk dërgoi punonjës të muzeut për mbrojtjen e relikteve kulturore dhe punën e përgatitjes së ekspozitës. Të dy palët vendosën të përdorin metodën e videos për inspektimin e relikteve kulturore dhe vendosjen e tyre në stendat e ekspozitës. Të gjitha detyrat e ndërlikuara u kryen nëpërmjet komunikimit në internet. Kjo u bazua në dëshirën e të dy palëve për shkëmbime kulturore dhe në besimin e ndërsjellë. Profesor Stéphane Verger, që e ka vizituar shumë herë Kinën dhe ka pasur bashkëpunime të shumta me Muzeun Kombëtar të Kinës, e njeh mirë qëndrimin serioz në punë të palës kineze. Ai thotë: “Kisha besim absolut te kolegët kinezë dhe te Muzeu Kombëtar i Kinës.”