Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy ka paralajmëruar se çdo ushtar rus që qëllon në centralin bërthamor të rrethuar në Zaporizhzhia do të jetë në shënjestër të shërbimeve të sigurisë.
Në fjalimin e mbajtur ai tha se çdo ushtar që qëllon mbi ose nga uzina do të bëhej “një objektiv i veçantë” për Ukrainën.
Rusia e kapi objektin pas luftimeve të ashpra në mars.
Është termocentrali më i madh bërthamor në Evropë dhe ndodhet në një vend strategjik të rëndësishëm në qytetin jugor të Ukrainës, Enerhodar. Teknikët ukrainas ende e operojnë atë, pavarësisht se vendi është nën pushtimin rus.
Në fillim të kësaj jave, objekti ra nën zjarr artilerie, për të cilin Moska dhe Kievi fajësuan njëri-tjetrin.
Gjatë fjalimit të tij nga Kievi, Zelensky tha se Rusia ishte përfshirë në “provokime të vazhdueshme” duke qëlluar mbi uzinën dhe tha se forcat e stacionuara atje e kishin përdorur atë si bazë për të bombarduar Nikopolin dhe qytetin e afërt të Marganets.
“Çdo oficer ushtarak rus që ose qëllon në uzinë, ose qëllon nën mbulesën e uzinës, duhet të kuptojë se ai bëhet një objektiv i veçantë për inteligjencën tonë, për shërbimet tona speciale, për ushtrinë tonë”, tha presidenti.
Ai shtoi se “çdo ditë” e pushtimit të uzinës nga Rusia “rrit kërcënimin e rrezatimit për Evropën”.