INSTAT ka publikuar treguesit demografik për tremujorin e dytë të vitit 2022. Shtesa natyrore e popullsisë, ndryshe nga viti 2021, dhe tre mujorin e parë të këtij vitit që shënuan vlera negative, për periudhën Prill- Qershor rritja e popullsisë ka vlerë pozitive, sepse numri i vdekjeve është më i ulët se i lindjeve. Sipas raportit të INSTAT, shtesa natyrore e popullsisë pasqyron trend pozitiv në tremujorin e dytë 2022 me 468 lindje më shumë se sa vdekje.
Numri i lindjeve për tremujorin e dytë të 2022 është 5.384, duke shënuar një rënie me 14,8 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2021.
Por ulje më të theksuar gjatë periudhës Prill-Qershor të këtij viti kanë shënuar vdekjet, me një rënie prej 19,4 % krahasuar me tremujorin e dytë 2021. Gjatë tre mujorit të dytë të 2022 janë shënuar 4.916 vdekje, ndërsa vitin e shkur në të njejtën periudhë ishin 6.100 humbje jete.
Në tremujorin e dytë 2022, pesë qarqe të vendit kanë shënuar shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në shtatë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë pasqyrohet negative.
Në këtë periudhë, qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 97 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1.119 vdekje. Kryeqyteti ka edhe numrin më të lartë të lindjeve, duke kryesuar si qarku me shtesën natyrore më të lartë, me 821 lindje më shumë sesa vdekje. Qarku me numrin më të vogël të lindjeve është Gjirokastra. Ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 193 vdekje më shumë se sa lindje.
/a.r