Ministria e Financave po vijon punën për dhënien me koncesion të administrimit të taksës së pronës.
Në janar të vitit 2015 Ministria e Ekonomisë u kërkoi të gjitha ministrive dhe enteve publike të propozonin zhvillimin e shërbimeve dhe investimeve kapitale nëpërmjet formës koncensionare me Partneritet Publik Privat ( 3P).
Ministria e Financave në atë kohë ka propozuar 3P për administrimin e taksës së pronës. Taksimi mbi pasuritë rezulton me evazionin të lartë fiskal edhe për shkak të informalitetit që shoqëron sektorin. Burimet zyrtare të Financave i pohuan së fundmi ‘Monitor’ se puna për këtë projekt po vijon.
Në vendet e tjera rajonit tatimet mbi pronat zënë rreth 2-3 % të PBB-së, në Shqipëri, niveli i tyre është shumë larg në vetëm 0.3% të PBB, ndërsa në vendet e tjera të Europës ky tatim mblidhet në 6% PBB-se. Nisur edhe nga rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Ministria e Financave ka tentuar fillimisht të rrisë rendimentin në të ardhurat nga prona. Në atë kohë Financat nuk i kishin propozuar Ministrisë së Ekonomisë aplikimin e 3P për administrimin e TVSH.
Sipas projektit të financave synohet fillimisht dokumentimi i pronës, gjë që do të bëjë, jo vetëm evidentimin e saktë të pronave, por edhe një rritje të të ardhurave nga ky tatim. Këto shërbime që kanë të bëjnë me kontrollin e tregut nga ana fiskale, duket se kanë qenë të paarritshme nga administrata publike.
Sipas strategjisë ‘Për Menaxhimin e Financave Publike’ më 2017 do të përfundojnë bazat për informatizimin e taksave të reja të pronës që merr në konsideratë krijimin e një kadastre fiskale.
Sipas dokumentit qëllimi i kadastrës do të jetë konsolidimi i të gjitha të dhënave ekzistuese mbi truallin, ndërtesat dhe pronarët/ banorët, dhe për të llogaritur detyrimin tatimor vjetor të shoqëruar me secilën pronë. Çdo prone do t’i jepet një numër unik identifikimi dhe qoftë pronari i ligjshëm, nëse dihet, apo banori, së bashku me numrin kombëtar identifikues për atë person apo subjekt. Njësia përgjegjëse për kadastrën nuk do të ketë autoritetin për të zgjidhur padi ligjore kontradiktore apo për të verifikuar pronësinë.
MONITOR