Përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike kanë paditur Bashkinë e Kryeqytetit në Gjykatën e Apelit Administrativ në lidhje me rritjen e çmimit të biletës.
Prej kohësh tashmë përfaqësuesit e opozitës kanë paralajmëruar kundërpërgjigjen e tyre përkundrejt vendimit të Bashkisë për të indeksuar çmimin e biletës së urbanit nga 30 në 40 lekë. Sipas këshilltarëve të PD, rritja e çmimit është në dëm të qytetarëve dhe është bërë për interesa klienteliste.
Nga kjo e hënë, qytetarët do të paguajnë 40 lekë për biletën e urbanit, aboneja e linjës kushton 1 mijë e 200 lekë ndërsa aboneja e përgjithshme 1 mijë e 600 lekë.
Ndryshimi i çmimeve të biletave ditore dhe mujore të transportit urban u miratua nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në datën 30 dhjetor 2015, me propozim të Bashkisë së Tiranës.