Një javë më parë institucionet shqiptare u sulmuan nga hakerat, duke bërë që për disa ditë të bllokohej faqja që ofron shërbimet online për qytetarët e-albania, por edhe disa nga websitet e ministrive, të cilat kishin rënë pre e këtyre sulmeve.
Ndërkohë që prej dy ditësh faqja “Homeland Justice”, po shpërndan me anë të videove dhe fotove disa dokumente që duket se i përkasin shtetit shqiptar.
Lidhur me publikimin e informacioneve dhe shkresave nga ana e “Homeland Justice”, ka reaguar edhe Autoriteti për Sigurinë Kibernetike (AKCESK) si dhe AKSHI, të cilat i kanë kërkuar AKPEP-it, mbylljen e menjëhershme të këtij domaini në Shqipëri.
Siç edhe e lexuar në dokument AKCESK dhe AKSHI i kërkojnë AKEP-it mbylljen e menjëhershme të domainit “Homeland Justice”, pasi sipas këtyre institucioneve, kjo faqe po përhap informacione keqdashëse.
Tani është koha dhe momenti që institucionet shqiptare të informojnë qytetarët se sa e rrezikuar është siguria kombëtare, dhe nëse po duhet thirrur me urgjencë Komisioni për Sigurinë Kombëtare, pasi shkresat që mund të jenë publikuar mund të shkaktojnë pasoja edhe më të rënda për shtetin shqiptar.
Kujtojmë që vetëm pak muaj më parë në Shqipëri plasi skandali i të dhënave personale, i listës së pagave, si dhe targave të makinave. Kjo do të thotë se nëse hakerat mund të kenë arritur të marrin informacione më të detajuara nga ana e institucioneve shqiptare gjatë sulmit kibernetik, atëherë jo vetëm të dhënat personale, por edhe e ardhmja e qytetarëve të vendit mund të pasohet me kërcënime serioze./ abcnews.al