Prej ditësh, një ndër tematikat kryesore të diskursit publik në Shqipëri ka qenë një sulm masiv kibernetik i ndërmarrë ndaj faqeve qeveritare dhe portalit e-Albania, i cili çoi edhe në mbylljen e tyre disa-ditore, duke shkaktuar problematika të shumta në mirëfunksionimin institucional të vendit.
Vetëm dje, pas publikimeve të shumta në media, u hodh më shumë dritë mbi situatën nga vetë kryeministri Edi Rama.
Në redaksinë e Albanian Post dhe në adresat personale të disa gazetarë ndërkohë, në datën 13 korrik, katër ditë përpara sulmit, kanë ardhur email-e të dyshimta nga një gazetar “i supozuar” iranian, i cili ka kërkuar kontakt dhe bashkëpunim.
“Jam një gazetar i pavarur iranian, i cili po punon aktualisht në çështjen e muxhahedinëve”, e nis mesazhin një person, nën emrin Ali Pouladi.
Albanian Post kërkoi menjëherë të dhëna online për personin, por pa arritur të identifikojë profile apo postime publike mbi të. Aq më pak, angazhime mediatike!
Më tej, personi parashtron edhe kërkesën për të marrë informacione mbi muxhahedinët të vendosur në Manzë, si edhe të ketë mundësinë e publikimit të artikujve në Albanian Post.
Redaksia i ktheu personit përgjigje, duke shpjeguar se gjithçka lidhej me muxhahedinët mundej të gjendej në faqen online të Albanian Post. Më pas, asnjë përgjigje tjetër nuk ka ardhur nga personi.
I njëjti mesazh ka ardhur edhe në mediat sociale të shumicës prej gazetarëve të Albanian Post, por ato janë anashkaluar për çështje të sigurisë.
Katër ditë më vonë, sulmi kibernetik masiv në Shqipëri ndodhi.
Të dhëna të menjëhershme mbi të nuk pati.
Më pas, më 19 korrik, redaksia e Albanian Post është ndeshur me një profil në Twitter, nën emrin e përdoruesit “@homelandjustice”.
Në të, ishin të publikuara disa dokumente zyrtare emërimesh në institucionet shqiptare dhe në disa statuse, pretendohej se shumë shpejt do të kishte publikime masive për qeveritarët shqiptarë.
Faqja pretendonte se kishte në disponim të gjithë dokumentet dhe se i kishte fshirë ato nga serverat qeveritarë.
Një gjë e tillë, u mohua nga kryeministri Rama më 20 korrik.
“Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do të goditet së shpejti nga një atak në zemër!”, do të shkruante më tej grupimi i paidentifikuar.
Vetëm një ditë më vonë, faqja e tyre në Twitter rezulton e pezulluar nga kompania dhe asnjë postim i tyre nuk mund të fshihet më.
Çështja nuk përfundon me kaq gjithsesi.
Po më 19 korrik, një mesazh nën emrin “Babagjyshi”, ka filluar të vijë në numrat telefonikë të disa prej gazetarëve të redaksisë, por edhe të personave të tjerë.
“Politikanët shqiptarë kanë sakrifikuar njerëzit për të mbështetur terroristët ISIS dhe MKO”, shkruhet në mesazhin e firmosur (@justiceforhomeland).
Dyshimet bien kështu mbi faktin se po i njëjti grupim i profilit të Twitter-it, ka dërguar edhe mesazhet anonime tek numra të shumtë në Shqipëri.
Data 21 korrik ndërkohë do të sillte edhe një dalje tjetër publike të kryeministrit Rama, ku ai do të shpjegonte se sulmi ishte sprapsur tërësisht falë punës së ekspertëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, pa pasur asnjë pasojë për qytetarët apo vetë shtetit.
Megjithatë, pyetjes se cili vend fshihet pas gjithë këtij sulmi, përgjigje ende nuk i është dhënë zyrtarisht.
Hamendësimet janë disa në publik, por të dhënat që të paktën deri tani Albanian Post disponon, bien pikërisht mbi Iranin.
“Babagjyshi”, do të jetë iranian? Kjo mbetet për t’u shpjeguar më tej. /Albanianpost