Nga Frrok Çupi
Vini re: Asnjëherë Prokurori i Shqipërisë komuniste nuk ishte ftuar në Kremlin. Madje edhe vetë Bedri Spahiu, më i besuari dhe më i rralli i llojit, nuk qëndroi shumë në atë karrige; veç sa çoi në ferr Koçi Xoxen, zëvendës- kryeministër.
Vini re: Arben Kraja, prokuror i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ftohet në Uashington në muajin e pushimeve të të gjithë botës. Zonja Liza Johnson, zëvendës- ndihmës sekretare e shtetit, vjen direkt për të takuar njerëzit e Drejtësisë në Tiranë. Është hera e parë që Prokurori i Shqipërisë ftohet në Departamentin e Shtetit.
Jemi në momentin të sjellim parasysh të dy botët. Tani bëhet pyetja: Kush do të fitojë?
1.
Do të fitojë Amerika, apo Rusia?
Kjo nuk është një dilemë në ajër. Influencat ruse, tani, janë më aktive se asnjëherë që nga vitet ’60 kur BS la vendin tonë dhe u zëvendësua nga i njëjti lloj.
Gjurmët ku shfaqen sot influencat Ruse:
Opozita e rrënuar nga brenda dhe tentativat për ta mbajtur ‘pa tru’- kjo e para. Përpjekja për kthimin e faktorëve të makinës së vjetër politike që kishin pasur lidhje të afërta me Lindjen si me llojin Millosheviç dhe Mahathir Mohamad- e dyta. Nuk është e kotë që Sali Berisha bën si ‘burrë i fortë në pleqëri’; kjo është kërkesë për jetë a vdekje, jo luks.
Parullat e hapëta nga kreu i shtetit, Meta, në favor të Rusisë përballë Amerikës: ‘Raketa ka edhe Rusia, jo vetëm Amerika’- e treta.
Thirrja ‘Shqipëria në rrezik’, i konvenon një plani rus për ndërhyrje në vendin tonë, njësoj si të mos ishte këtu NATO, por Traktati i Varshavës.
Presidenti Biden, i SHBA, deklaroi me zë të lartë dhe jo së koti se ‘këtu jemi ne’, jo Rusia. Atëherë, kush do të fitojë? SPAK duhet të ketë përgjigjen e vet.
2.
Nëse do të fitojë korrupsioni dhe krimi, atëherë humb Amerika dhe qytetërimi Perëndimor. Korrupsioni fiton nëse nuk dënohen me ligj të korruptuarit. Pse nuk dënohen të korruptuarit e mëdhenj? Në krye të fjalës për korrupsion të madh, prej vitesh ndodhen Ilir Meta dhe Sali Berisha. Berisha është nominuar si ‘i korruptuar i madh’ nga Departamenti i Shtetit. Korrupsioni i tij ndikon fort në minimin e demokracisë dhe të shtetit të së Drejtës. Drejtësinë vazhdon ta manipulojë Berisha me njerëzit e vet që ka aty brenda.
Pa ndëshkimin e tyre nuk mund të ketë Drejtësi të besueshme në vend. Peshorja e Drejtësisë deri më sot akoma i drejton shigjetat te ‘Padrejtësia’. Ndërsa fajtorët e vegjël e mesatarë dënohen, të mëdhenjtë dalin në mitingje dhe i japin forcë Rusisë. Një raport i shpikur nga Dick Marty mban në burg liderët e UÇK; ndërsa një raport i Gery Kokalarit nuk dëgjohet nga SPAK(!). Duket në dritë të diellit se çfarë fshihet. As zëri i një shumice absolute njerëzore nuk dëgjohet. Pas katër ditësh presidenti Meta del nga zyra dhe është betuar se ‘sa të dalë e mjerë kush i del përpara!’. Presidenti shpall luftë…, në emër të kujt?
Kush heziton? SPAK ka merakun se liderët i lëndon ligji?… ‘Nëse i vret e Drejta, le të vdesin!’, shkruan Emmanuel Kant.
3.
Ku është lidhja e SPAK me vijën ndarëse Rusi- Amerikë?
Kjo është një vijë që e kemi provuar në historinë tonë.
Herët, kur Prokurori i Përgjithshëm Bedri Spahiu tha se ishte ‘një njollë e zezë’, fitoi Rusia, dmth., BS, ose më mirë të themi: fitoi KGB. Ishin vitet ’50 të shekullit të kaluar. CIA dhe FBI nga Shtetet e Bashkuara tentuan që në vendin tonë të vendosej Demokracia, dhe dërguan luftëtarë…, por qe e pamundur. Fitoi KGB. Po të kishte fituar CIA që atëherë, sot do të ishim ‘Europë’ dhe ‘Perëndim’, Drejtësia do të ishte vendosur.
A është e qartë? Kjo është shumë e thjeshtë për SPAK: Është koha të marrim atë fitore të humbur. Ligji dhe Drejtësia e bëjnë, ose s’e bëjnë.
Kjo kërkohet tani nga SPAK, i kërkohet veç një fjalë e thjeshtë: Kush do të fitojë?