Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se nëse Maqedonia e Veriut merr vendim negativ për propozimin francez për integrimin europian, Shqipëria do kërkojë ndarjen nga Shkupi në këtë proces.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisionerin e Zgjerimit, Oliver Varhelyin, kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se do të kërkojë ndarjen menjëherë pasi të merret vendimi nga Maqedonia e Veriut.
Ai tha se fillimisht duhet të pritet seanca maratonë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Rama thotë se Shqipërisë duhet t’i çelen negociatat brenda këtij viti.
Rama: Nuk dua të zgjatem në këtë pikë.pasi mund të ketë mbaruar një seancë, por në dijeninë time debati do vazhdojë. Dua të shpresoj që rezultati do jetë pozitiv. Nëse do jetë pozitiv, konferenca mund të thirret shpejt. Nëse rezultati nuk do jetë pozitiv, të nesërmen do vazhdojmë të kërkojmë ndarjen e dosjes së Shqipërisë nga ajo bullgaro-maqedonase.
Patjetër që ne jemi të bindur, se Shqipëria duhet t’i çelë negociatat këtë vit padsikutim. Të presim fundin e këtij debati maratonë që parashikohet të bëhet në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Uroj të ndodhë që parlamenti t’i hapë rrugë propozimit francez. Të dy vendet të hyjnë në negociatat për anëtarësim. Nuk e vendosim ne, por parlamenti sovran e Maqedonisë së Veriut.
Dua të theksoj edhe njëherë që falë kujdesit të veçantë të Komisionerit Varhelyi dhe shtytjes që i ka bërë aspektit ët bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor, kemi përgatitur projekte të tjera që janë mbështetur nga kjo strukturë investimi. Janë hekurudha dhe projektet me energji. Do kërkojmë nga plani ekonomik i investimeve, edhe mbështetje për portin e ri të Durrësit. Kemi kërkuar mbështetje nga paketa e investimeve të NATO-s për krahun ushtarak. Do kërkojmë nga krahu civil i aleancës, mbështetje për veprimtarinë civile të lëvizjes së mallrave në këtë rajon përmes portit të Durrësit, i cili do marrë një tjetër peshë./m.j