Komisioni i Ligjeve rrëzon dekretin e Presidentit Ilir Meta për kthimin në Kuvend të ligjit për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Gjatë mbledhjes ishte fillimisht përfaqësuesi ligjor i presidentit Meta, Bledar Dervishaj, ai i cili parashtroi argumentet pse duhet të pranohej nga parlamenti dekreti i kreut të shtetit. Dervishaj u kërkoi ligjvënësve që të respektojnë interesin publik në lidhje me menaxhimin e pasurive kombëtare.
“Nëse shumica zgjedh të rrëzojë dekretin dhe të vijojë me hyrjen në fuqi, nuk do t’i shërbente interesave të larta të vendit, por do të përkeqësonte dhe një marrëdhënie të organit të shtetit me shoqërinë civile, ekspertët dhe qytetarëve në përgjithësi”, tha Dervishaj.
Edhe deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa i kërkoi kolegëve socialist që të pranojnë dekretin dhe të mos thyejnë Konventën e Parisit për Trashëgiminë kulturore.
“Nuk ka në asnjë fjalë në Konventën e Parisit që thotë se fondacionet mund të menaxhojnë, apo të marrin në administrim koncesionar pasuritë kulturore”, tha Zhupa.
Por në përfundim të mbledhjes, vetëm me votat e maxhorancës dekreti i Presidentit u rrëzua.
g.kosovari