Pedofilët dhe çdo person që është dënuar më parë për një vepër penale që lidhen me të miturit, nuk mund të ushtrojë asnjëherë profesionin e mësuesit dhe asnjë funksion tjetër brenda institucioneve arsimore parauniversitare, pavarësisht kryerjes së dënimit dhe rehabilitimit. Kështu parashikon nisma e fundit ligjore e qeverisë për ndryshimin e ligjit të vitit 2012 për arsimin parauniversitar.
Ky parashikim synon parandalimin e përsëritjes së veprës penale ndaj fëmijëve dhe shërben si një garanci më shumë për një sistem arsimor të sigurt. “Është e papranueshme që në sistemin arsimor të punojnë individ me të shkuar kriminale edhe pse të rehabilituar, pasi dëmtojnë sistemin arsimor dhe nuk mbështesin parimet themelore të garantimit të sigurisë dhe interesit më i lartë i fëmijës”, thuhet në relacionin e draftit për ndryshimin e ligjit.
Nuk mund t’u afrohen shkollave të dënuarit për marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, vepra të turpshme dhe ngacmim seksual ndaj të miturve, shfrytëzim prostitucioni, trafikim rrëmbim mbajtje peng ndaj të miturit, ndërhyrje të paligjshme në jetën private, përndjekje, braktisje, keqtrajtim etj., ndaj të miturve.
Ndryshimet kanë shtuar në ligj parashikimin e miratimit nga ministri i arsimit për ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinave të institucioneve arsimore publike. Sipas ligjit aktual në fuqi kjo është kompetencë vetëm e njësive të vetëqeverisjes vendore.
Drejtorët e shkollave nuk do të emërohen më nga kryetarët e bashkive, por vetëm nga kreu i zyrës arsimore rajonale përkatëse, i cili është përgjegjës edhe për shkarkimin apo pezullimin e drejtorëve. Drejtori i zyrës arsimore do të caktojë edhe mësuesit në dispozicion.
Është parashikuar edhe shtimi i një neni të veçantë në ligjin aktual të ligjit për arsimin parauniversitar, për arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Qendra Burimore./shqiptarja.com/m.j