Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti një delegacion të Parlamentit dhe Senatit Italian, të cilët ndodhen për një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Gjatë bashkëbisedimit me deputeten Francesca Gerardi dhe senatorin Manuel Vescovi, Veliaj vlerësoi kontributin e Italisë si një avokate e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
“Italia është avokati më i mirë i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nuk mund të kishim një mik më të mirë që ta shtyjë përpara kauzën e Shqipërisë në dyert e Brukselit apo të kancelarive të tjera. Ju falenderoj shumë!”, tha Veliaj. Ai nënvizoi se Italia dhe Shqipëria janë dy vende të lidhura ngushtë jo vetëm ekonomikisht, por edhe në aspektin kulturor dhe njerëzor. Veliaj shtoi se shumë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Itali janë kthyer në histori suksesi.
“Sa më shumë bëjmë, aq më shumë duam të bëjmë, jo vetëm në çështje të kulturës apo të ekonomisë, ku me mbi 30% e bilancit tregtar e kemi me Italinë, si partneren tonë kryesore në të gjitha shkëmbimet ekonomike, por besoj se mund të bëjmë edhe më shumë në marrëdhëniet mes qyteteve dhe këshillave bashkiakë. Ashtu siç kemi disa histori të suksesshme bashkëpunimi, siç është “Eco Tirana” apo ndërmarrje të përbashkëta që i kemi me Italinë, besoj se mund t’i forcojmë këto ura. Ditët më të mira i kemi përpara”, tha më tej kryebashkiaku Veliaj.
Deputetja Francesca Gerardi dhe senatori Manuel Vescovi nënvizuan rolin e rëndësishëm që komuniteti shqiptar luan në Itali, ku edhe është integruar më së miri.
“Kam fatin që në qytetin tim ka edhe një numër të konsiderueshëm shqiptarësh – pothuajse 20 mijë qytetarë, sa një qytet i vogël. Komuniteti shqiptar në Itali është integruar mjaft mirë, kanë krijuar disa sipërmarrje, janë shumë frytdhënës edhe për qytetin tonë. Përpjekjet e mia janë që edhe Shqipëria të hyjë në Evropë”, tha senatori Vescovi.
Gjatë bashkëbisedimit u nënvizua rëndësia për mbështetjen e start up-eve dhe rolit ndërkombëtar të Tiranës si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022.
/a.r