Prokuroria e rrethit gjyqësor Vlorë ka vendosur sekuestro preventive për një pallat 8-katësh në ndërtim në Vlorë. Në kërkim janë shpallur 2 pronarët e truallit, Hito Muskaj dhe Viktor Muskaj. Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se janë 2 prona truall, njëra prej të cilave është përfituar me dokumente të falsifikuara.
Nga Prokuroria konfirmohet se deri në përfundim të hetimeve është vendosur sekuestro preventive për pallatin është në ndërtim.
Ndërtuesi dhe investitori ka folur për mediet dhe është shprehur se nuk dinte asgjë për urdhrin e sekuestrimit.
“Unë nuk kisha asnjë dijeni, më njoftoi policia që ka një urdhër sekuestro të objektit ku unë po ndërtoj. U njoha me vendimin e Gjykatës, me urdhrin e Prokurorit dhe u zbatua vendimi. Unë kisha dëgjuar disa herë për këto vendime, pasi pala tjetër që pretendon për objektin e kam kontaktuar disa herë, personat që kanë kontratën me mua për sipërmarrjen për ndërtimin i kam thënë zgjidheni këtë problem se rëndohem unë si firmë ndërtimi. Më kanë thënë që i kemi të sakta. Prona e dytë që është 37.5 metra katrorë pretendohet që është e falsifikuar, unë nuk e di, nuk e kam parë dhe nuk e njoh si procedurë. Për mendimin tim vendimi i gjyqtares është i padrejtë. Nuk ka të bëjë me mua veprimi, ka të bëjë me pronarët e tokës. Ndërtimi ka gati 11 muaj që ka filluar dhe ne tani ishim në fazën kryesore. Objekti është shitur totalisht. Hapat që do ndiqen nga ne janë hapat ligjorë, do bëjmë ankimin të vendimit”, tha Bektash Petoshati.
Ka qenë një palë e tretë që akuzon pronarët e truallit.
Sipas Prokurorisë, nëse një nga pronarët nuk do të kishte falsifikuar dokumentet, nuk do të ishin krijuar kushtet për ndërtimin e pallatit.
g.kosovari