Për deputetin demokrat Tritan Shehu, Shqipëria po shkon drejt negociatave me BE nën kondicionimin ruso-serb. Në studion e ‘Kontrast’ në Report TV ai u shpreh se Edi Rama e ka festuar hapjen e negociatave disa herë, teksa u shpreh pesimist që kjo të ndodhë në 7 korrik.
Shehu deklaroi në panelin me gazetarët Lorenc Vangjeli e Denis Minga se fatkeqësisht vendi ynë e ka lidhur ‘karrocën’ me Maqedoninë e Veriut sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai tha se Ballkani i Hapur është një projekt pro-rus i diktuar nga Beogradi zyrtar.
“Fatkeqësisht Shqipëria e sotme pas mbi 30 vitesh demokracie është në një udhëkryq. Do të jetë mes Beogradit dhe Stambollit, apo në Perëndim. Unë uroj megjithë zemër që këtë herë të hapen negociatat, sepse për Shqipërinë ka vetëm një të ardhme që është familja evropiane. Nëse i mohohet kjo e drejtë, Shqipëria ka përballë të shkuarën siç është perandoria Osmane apo ajo komuniste. Kemi që në vitin 2014 që hedhim fishekzjarrë dhe hapim shishe shampanje për negociatat, sepse kështu thotë kryeministri ynë. Ishin disa ambasadorë që deklaruan bashkë me kryeministrin se u hapën. Unë shpresoj me të gjithë zemër që në 7 korrik të hapen negociatat, por duhet të kuptojmë se ky është thjeshtë një hap për hapjen e kapitujve. Jo se u bëmë anëtarë. Sot ne jemi në fund të karvanit evropian. Neve u lidhëm me karrocën e Maqedonisë së Veriut. Në fillim fare nuk ishim të kushtëzuar. Kështu jemi future në një suazë që rrezikojmë shumë, sepse po futemi nën kushtëzimin serb në BE. Me një projekt pro-rus dhe anti-kombëtar siç është Ballkani i Hapur” – tha Tritan Shehu për emisionin ‘Kontrast’ në Report TV.
/a.r