Misteri i vdekjes së 21 adoleshentëve në një klub nate ka mbërthyer tërë Afrikën e Jugut. Spekulimet kanë lënë pikëpyetje të shumta pa përgjigje. Incidenti po hetohet nga autoritetet, por ajo që dihet deri tashmë është se ngjarja u zbulua të dielën rreth orës 04:00 të mëngjesit.
Pas mbërritjes në vendngjarje autoritetet gjetën 17 trupa të pajetë brenda klubit. Katër të tjerë ndërruan jetë në spital, ose teksa transportoheshin atje. Të gjithë ishin adoleshentë. Viktima më e re ishte e moshës 13-vjeçare.
Qeveria lokale ka ofruar ndihmën e saj për varrimin e të rinjve. Funerali masiv pritet që të mbahet të mërkurën e ardhshme. Rrethanat e ngjarjes janë të paqarta. “Nuk duam që të bëjmë asnjë spekulim në këtë fazë të hetimeve”, tha Tembinkosi Kinana.
Daily Dispatch, një media afrikano-jugore raportoi se adoleshentët po festonin fundin e provimeve bnë shkollë. Trupat e tyre u gjetën të shpërndara nëpër tavolina, karrige dhe në pistën e vallëzimit. Asnjë prej tyre nuk kishte shenja të dukshme lëndimesh.
Autoritetet kanë punë pasi duhet të përcaktojnë edhe shkakun e vdekjeve. Siyanda Manana, një zëdhënëse për Departamentin e Shëndetësisë në Kepin Lindor, tha të martën se autopsitë ishin përfunduar dhe ndodheshin në pritje të raporteve toksikologjike. 19 viktima janë identifikuar ndërsa dy të tjerët mbeten ende të paidentifikuar në morgun lokal.
Daily Dispatch raportoi se kishte zëra se adoleshentët vdiqën në një rrëmujë pasi rojet e sigurisë hodhën gaz lotsjellës ose sprej në një përpjekje për të shpërndarë klientët. Por kjo teori është përjashtuar.
Një media tjetër ka publikuar se shkak i vdekjes mund të jetë helmimi me dioksid karboni, duke cituar burime pranë hetimit. Por zëdhënësja e policisë nuk e konfirmoi këtë lajm.
Autoritetet po ashtu i kanë kërkuar njerëzve që mos të spekulojnë mbi shkaqet e vdekjes së adoleshenteve, pasi hetimet janë në vijimësi. Deri më tani për këtë ngjarje nuk ka asnjë të arrestuar dhe asnjë të dyshuar.
/a.r