Në ditët e festivalit të shumë njohur ndërkombëtar kulturor dhe artistik në Beograd “Krokodil-2022”, organizuar nga shoqëria me të njëjtin emër, këtë vit ishin të ftuar dhe poetesha shqiptare Rudina Çupi bashkë me shkrimtaren kosovare dedikuar kryesisht letërsisë për fëmijë Erina Rahmani. Këtë vit e ftuara kryesore ishte Margaret Atwood, fituesja e madhe e “Man Book Price”. Të dyja poeteshat, pjesëmarrëse në panelin “Bibliobus-Skitam, Čitam, Crtam, Pitam”, jo thjeshtë do të bënin një prezantim interesant por me përballjen e tyre do të tregonin ende honet e mëdha që ekzistojnë mes shqiptarëve dhe serbëve. Pritja shumë e mirë e publikut nuk ishte thjesht admirimi për punën e tyre por njëkohësisht edhe respekti për një letërsi cilësore, që është kaq e panjohur për ta.
Poezitë e përkthyera në serbisht nga pedagogia e Katedrës shqipe në Beograd, Naile Malja-Imami dhe studentët e saj do të ishin ai çelësi, që e bëri publikun jo thjesht të ndihet mirë me prezantimin e tyre por edhe të marrë pjesë sinqerisht në një aktivitet, që prej vitesh bën diferencën në Beograd.
Ndërkohë, që veprimtarja e njohur Malaj-Imami nuk është mjaftuar me kaq, por po në ditët e festivalit ka organizuar në mjediset e Klubit të Shqiptarëve të Beogradit, një takim me dy poeteshat dhe përkthyesin Ben Andoni, aktualisht në një rezidencë shkrimtarësh në qytet. Qëllimi ka qenë shpalosja e problematikave të artit të shkruar, mundësitë për ta bërë më të afërt Shqipërinë e artit në Serbi, që shkon dhe me një nga objektivat e këtij klubi por mbi të gjitha gjetja edhe e rrugëve të duhura për të mbështetur një nga katedrat më të vjetra të shqipes në Botë.
Ndërsa Rahmani ka folur për problematikat e letërsisë kosovare dhe qasjen e tanishme të shoqërisë me letërsinë për brezin e fëmijëve, ajo është ndalur dhe tek problematika të ndryshme me këtë qëllim.
Poetja Çupi, që është aktualisht edhe drejtuesja e një shtëpie të re botuese ka folur për sfidat e ndryshme të botimit, kostat e larta të botimit dhe përballjet e temave në letërsinë e sotme.
Kurse përkthyesi Ben Andoni ka folur për përvojën e tij, mënyrën sesi letërsia e sotme shqipe po përball ndryshimet e huaja, por edhe sfidat e saj apo temat që rroken sot më së shumti në Shqipëri, shtuar edhe me disa nga problematikat e ndryshme në letërsi.
Nga ana e saj, organizatorja e takimit, Naile Malaj-Imami ka ndërlidhur takimin edhe me të ftuarit, që kanë qenë studentë të Katedrës së Gjuhës shqipe por edhe qytetarë me origjinë shqiptare. Ajo ka bërë një paraqitje të gjatë të punës dhe sfidave që e presin Katedrën por edhe ka treguar disa nga botimet e saj.
Klubi Kulturor i Shqiptarëve është formuar para gati pesë vjetësh dhe drejtuesja e tij Malaj-Imami ka pasur në bashkëpunim edhe pesë të rinj të tjerë shqiptarë të Beogradit të cilët sëbashku po përpiqen të sjellin sa më shumë miq. Me angazhimin e drejtueses janë bërë disa aktivitete, të cilat në të ardhmen mëtohen të shtohen, kjo edhe për shkak të volumit të ngritur të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi në disa fusha. Dhe, në këtë Klub, qysh nga fillimi, ka pasur nga kurse për mësimin e gjuhës shqipe, mbrëmje letrare, tribuna e ligjërata të tjera. Kurse klubi ka ndihur dhe takimet e niveleve të larta si ato të akademikëve të njohur shqiptarë Floresha Dado dhe Shaban Sinani.
Kurse nga Shtëpia Botuese “Dielli”, që i shtohet punës së madhe që bëhet në Beograd nga shqiptarët, e që tani drejtohet prej Naile Malaj-Imamit është botuar fjalori i Kostandin Kristoforidhit, i ripunuar nga Martin Camaj më 12 prill të vitit 1953 në Beograd. Ishte koha kur ai qëndroi në këtë qytet midis viteve 1948-1957, kohë gjatë së cilës kreu studimet për romanistikë në Fakultetin Filologjik dhe dha ndihmesën e tij në Katedrën e Albanologjisë, një nga pesë katedrat më të vjetra të këtij universiteti. Por, të kësaj shtëpie, si edhe nga bashkëpunimi i klubit janë edhe botimet e autorëve si: Branisllav Nushiq “Kosova, përshkrimi i vendit dhe popullit”, “ Kosova në detin e artë”; “Malësia” e Andrija Joviqeviqit; “Për arnautët” të Aleksa Bogosavleviqit, “Problemi shqiptar dhe Austro-Hungaria”, “Serbia e vjetër dhe shqiptarët” “Marrëdhëniet serbo- bullgare dhe çështja shqiptare”; “ Shënime udhëtimi nëpër Serbinë jugore” të Nikolla Trajkoviqit; komedinë “Gratë e qiellit dhe të tokës” të autorit Virgjil Muçi e shumë të tjera edhe në gjuhën serbe të autorëve si i ndjeri Petrit Imami, Aurel Plasari, Shaban Sinani, Olimbi Velaj, Ridvan Dibra etj. (Javanews)