Avokati i Alqi Bllakos, Sokol Hazizaj, ka reaguar pas lajmit të publikuar sot në median britanike “Ventsmagazine”, ku theksohej se nipi i Bllakos, Gio Basha, është gjobitur me 10 milionë dollarë, pasi akuzohet për pastrim parash.
Në reagimin e tij Hazizaj shkruan se Bllako nuk ka asnjë lidhje gjaku me Gio Bashën, dhe se po kontaktojnë me studio ligjore angleze për të çuar në gjyq median “Ventsmagazine”
Reagimi i Sokol Hazizajt:
Përgënjeshtrim
Lajmet e sotme që lidhin klientin tim Alqi Bllako me një shtetas të quajtur Gio Basha janë të pavërteta. Zoti Alqi Bllako nuk ka asnjë lidhje gjaku apo njohje me këtë person. Në vitin 2011 Alqi Bllako ishte student në master, duke u diplomuar me një tjetër medalje të artë për rezultate të shkëlqyera.
E vërteta nuk mund të mbulohet me sajesa të tilla sa të shëmtuara, aq edhe qesharake. Shpreh keqardhje të thellë që mediat, të cilat kanë publikuar lajmin e sajuar nga asgjëja, bëhen pjesë e skemës kundër klientit tim, duke mos respektuar asnjë standard minimal për verifikimin e vërtetësisë së lajmit.
Si përfaqësues ligjor i zotit Bllako, ju informoj se nga hulumtimet tona media burim është një media e huaj, dhe po konsiderojmë të lidhemi me studiot e huaja avokatore, për të ndjekur hapat e duhur, jo vetëm për përgënjeshtrimin e lajmit, por edhe proçedurat e mëtejshme ligjore.
Me respekt,
Sokol Hazizaj
Avokat
/e.d