Nga Alfred Lela
E sotmja ka qenë një ditë e ngarkuar, të paktën për celularin tim. Qindra mesazhe e telefonata, nga urueset e deri te habitoret. Rrjedhë normale e gjërave, në fakt. Dhe, nuk po e shkruaj këtë editorial ‘të fundit’ në Politiko, i ngacmuar nga mesazhet; as për të shkarkuar te ky komunikim barrën e vendimit, por për të thënë se në jetën e një profesionisti, gjithmonë vjen një ditë kur i duhet të ndeshet me predikimet e tij. Të zgjedhe t’i jetojë ose të vazhdojë t’i priftërojë ato.
Hapja ka qenë predikimi kryesor i editorialeve dhe debateve televizive ku kam marrë pjesë, duke nënkuptuar si të tillë ‘daljen’ e PD në shoqëri dhe ‘futjen’ e shoqërisë në PD. Me shumë kolegë të tjerë, ia kemi kërkuar këtë, në emër të përveçëm, Sali Berishës, herë si detyrim, herës si diversion, herë si provokim, e herë si mision.
Pyetja është se çfarë bën ti me predikimin tënd kur ai kthehet e të troket në derë. Do ta lësh të të zbulojë si diversionist, si hipokrit apo si dikë që sheh, te opozita në këtë rast, një investiturë kolosale të interesit publik. Edhe më shumë në një vend si Shqipëria, ku thuajse të gjitha gjërat flasin nën hyqmin e qeverisë dhe mazhorancës politike, adminstrative e konjukturale, që e shoqëron atë.
Vjen gjithmonë ajo ditë.
Hapje, hapje, hapje. Por, kush e bën hapjen, kush duhet dhe mund ta bëjë? Ka nga ata që do presin që hapja të çelë lule dhe, kur të jetë në frytëzim, të shpejtojnë me shportat gati për të vjelë atë që në horizont duket si ideja e pushtetit dhe benefitet e tij.
Ka nga ata që i tremben Amerikës dhe non grata-s. A thua se ata që janë, ata që duan, dhe ata që do t’i bashohen një PD-je në vështirësitë e kësaj stigmate, e bëjnë për t’i shpallur luftë Amerikës. A thua se PD, me në krye Sali Berishën, nuk qenë ata që i dhanë fund luftës me Amerikën, pikërisht asaj çmendurie totale të nisur nga paraardhësja e asaj partisë tjetër që tani luan amerikançen, me të njëjtën lehtësi që dikur hidhte jugosllavçen, sovjetikçen dhe kinezçen.
Nuk është, sigurisht, hapja e PD me shoqërinë e vetmja që kjo forcë ka për detyrë të komunikojë dhe të bëjë. Eshtë edhe mbyllja e Shqipërisë para hundës së të gjithë atyre mijëra bashkatdhetarëve që ikin. Nga frustrimi, nga pamundësia, nga mosshpresa, e me radhë. Komunikimi i Shqipërisë që po zbrazet dhe mbushja e enës së shpresës nuk është detyrë e lehtë. As ngecja e vendit te portat e integrimit. As komunikimi i ‘mosmarrëveshjes shqiptare’ në Ballkan dhe puna për ta kthyer atë në marrëveshje.
A mund të bëhen të gjitha këto që duken të lehta për t’u thënë? Partitë tona nuk e kanë një mission statement dhe as një kredo. Të cilën duhet ta kenë. Sali Berisha e artikulon një të tillë, me barrën e veprave të veta, një radhë çliruese, e një radhë penguese.
Çlirimi nga të dyja, si nga madhështia që adhuruesit ia përsërisin me fjalë e duarshtrëngime, ashtu edhe nga ‘qind të ligat’ që kundërshtarët ia recitojnë, mund ta kthejnë atë, edhe njëherë, në një prijës që kupton kohën dhe sidomos veten në raport me të.
Për autorin e këtyre radhëve është hera e parë. Për të kjo është hera e tretë. Në këtë kuptim, që hapja të kuptohet si hapje atij i duhen shumë vetë të herës së parë, shumë akte të herës së parë, shumë shndërrime të dorës së parë.
Kjo është forca e ndryshimit që mund të komunikohet. Ky është komunikimi që mund ta ndryshojë.
Sali Berisha është ndërkohë lider historik. Nuk është më historia që kërkohet prej tij, por e kundërta: dalja prej saj. Vetëm me historinë nga pas nuk mund të hapesh dhe as të rishpikesh.
Si mund të jetë pra, një burrë, edhe traditë, edhe e ardhme?
politiko.al
Jeni njerez me dy fytura dhe kjo nuk na habit fare. Cfare nuk keni thene per Doshin dhe Dakon ne emisionet televizive. Mjafton tju zgjase doren dikush qofte ky edhe nje non grada dhe ju vraponi menjehere se dukeni te vleresuar. Si mund ti bashkohesh nje njeri me dy pare mend ne koke nje personi te percaktuar si minues i demokracise. Nga nje njeri si ju kjo eshte me pakta qe mund te beni sepse howet pantallonat live dhe se patet problem.