Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka reaguar për informacionet e dala në media mbi dëshmitë e fundit të të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani. Në njoftimin e saj për shtyp SPAK, shkruan se urdhri për nxjerrjen e sekretit hetimor përbën vepër penal që mund të shkojë deri në arrest me burg.
Sipas SPAK, po kryhen të gjitha hetimet për të sqaruar rrethanat në të cilat informacioni hetimor sekret është publikuar në media. Në këtë rast sipas SPAK do vendosen përpara përgjegjësisë të gjitha ata që kanë nxjerrë sekretin hetimor në media. Ndërsa shton se “ky interes nuk mund dhe nuk duhet të cenojë një hetim të filluar dhe as sigurinë publike apo individuale të personave emrat e të cilëve janë përmendur gjatë hetimit, i cili vazhdon”
Njoftimi:
Nisur nga interpretimet e bëra në media, lidhur me urdhërin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, datë 14.06.2022 ‘’Për ruajtjen e sekretit, ndalimin e publikimit të akteve dhe përmbajtjes së tyre’’ sqarojmë se ;
Ky urdhër i është komunikuar në datën 16.06.2022 gazetarit E.Q, kundrejt nënshkrimit për marrjen dijeni, pasi gazetari ka publikuar disa te dhëna sekrete, që shkonin përtej vendimit të gjykatës me objekt caktimin e masave të sigurimit personal ‘’arrest në burg’, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 dhe që në përputhje me nenin 295/a/4 të Kodit Penal përbëjnë akte sekrete të procedimit penal nr.75/2022.
Sqarojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, këtë urdhër ia ka adresuar vetëm një gazetari dhe për arsyen konkrete të sipërcituar.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po kryen te gjitha veprimet hetimore të nevojshme për të sqaruar rrethanat në të cilat informacioni hetimor sekret është transmetuar tek personat që më pas e kanë publikuar atë, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë të personit/personave që ka/kanë nxjerrë sekretin hetimor.
Ne mirëkuptojmë interesin e mediave për informimin e opinionit publik, por ky interes nuk mund dhe nuk duhet të cenoje një hetim të filluar dhe as sigurinë publike apo individuale të personave emrat e të cilëve janë përmendur gjatë hetimit, i cili vazhdon.