Nga Tirana, doktori Tullio Simoncini trajtoi me mesazhe në Whatsapp apo lidhje Skype 4 pacientë, disa me kancer dhe të tjerë vetëm të shqetësuar, duke u dhënë trajtime me bikarbonat, pavarësisht se për këtë mjekim ishte përjashtuar nga radhët e mjekëve në vitin 2006. Akuza për të cilën ish-mjeku është sërish në gjyq, është ajo e ushtrimit abuziv të profesionit.
Sipas asaj që shkruan Corriere della Sera, faktet datojnë në vitin 2016: Simoncini vizitonte dhe jepte receta nga Roma apo Tirana, pavarësisht se nuk i lejohej të ushtronte profesionin e mjekut. Në vitin 2018, pas vizitave të katër pacientëve (palët paditëse në gjyqin e hapur së fundmi), Simoncini u dënua në shkallë të parë me pesë vjet burg për akuzën e vrasjes nga pakujdesia për vdekjen e Luca Olivotto, një 27-vjeçari nga Catania, i cili vuante nga tumori në tru dhe u trajtua me bikarbonat në një klinikë në kryeqytetin shqiptar, në vitit 2012.
Tetorin e 6 viteve më parë, Simoncini, nëpërmjet internetit i përshkruan një skanim CT një gruaje të lindur në Rumani. Ai nuk mund ta bënte këtë, pasi ishte përjashtuar nga sistemi i shëndetësisë. Gjithashtu në të njëjtin muaj ai kreu një konsultë me pagesë përmes Skype me një zonjë nga Castrovillari.
Në nëntor 2016, përmes WhatsApp-it, ai shkëmbeu mesazhe me një paciente, të cilës i sugjeronte larje me bikarbonat për trajtimin e tumorit. Në të njëjtën periudhë Simoncini bën konsultë me një 77-vjeçar nga Napoli, të cilit i dha recetë bikarbonati të natriumit të holluar në 5 përqind.
Një pacient tha se shpenzoi 200 euro për një vizitë. Kostoja totale e trajtimit shkonte në rreth 7 mijë euro dhe pacientët duhet të jepnin 1 mijë euro paradhënie.
/a.r