Arratisja e Edison Pulajt nga burgu i Trevisos duke përdorur një sharrë për të prerë hekurat e qelisë ka ngritur në këmbë policinë lokale, e cila tashmë po e kërkon shqiptarin nga njëra anë por edhe është duke parë se ku çalon sistemi i sigurisë së burgjeve nga ana tjetër.
Ai u hodh me një çarçaf nga një lartësi 5 metra prej qëlisë duke u arratisur me pas përmes arave që rrethonin burgun. Bashkë me të ishin edhe dy shqiptarë të tjerë, të cilët u kapën nga policia, ndërkohë që nuk ka asnjë gjurmë të Pulajt.
Mediat italiane raportojnë se ai ishte ndihmuar edhe nga mafia italiane, siç është Ndragheta për arratinë dhe sigurimin e një vendi strehimi që të mos gjendet.
Por, kush është i famshmi Edison Pula?
Edison Pula, anëtar i bandës së Niklës, i akuzuar për atentatin me eksploziv ndaj Gentjan Bejtjes në Larushk dhe për një sërë veprash të tjera penale.
Si u arratis edhe në vitin 2017 nga policia në Fushë Krujë:
Edhe pse i prangosur dhe nën masa të rrepta sigurie 21-vjeçari në momentin që zbriti nga furgoni, mundi t’i shpëtojë policëve. Ai kapërceu murin rrethues, duke u larguar në drejtim të paditur. Arratisja ndodhi gjatë kohës së transferimit të tij nga stacioni i policisë së Fushë Krujës në të Krujës.
Uniformat blu ngritën postblloqe në rrugët kryesore dhe në të gjithë zonën për të kapur 21-vjecarin. Dy policët që e shoqëronin u treguan të pakujdesshëm dhe janë ndaluar me pas nga kolegët e tyre.
Mbi Edison Pulën rëndojnë disa vepra penale si: ‘Vrasje me paramendim e ngelur në tentativë’, ‘Shkatërrim i pronës me eksploziv’, ‘Vjedhje me dhunë’ dhe ‘Prodhim dhe mbajtje e armëve dhe municioneve luftarake’.
Pula u prangos sëbashku me 8 anëtarë të tjerë të së njëjtës bandë. Sipas policisë ai është pjesëtar i grupit kriminal që organizoi atentatin ndaj Gentjan Bejtjes në fshatin Larushk të Krujës./ abcnews
g.kosovari