Ka nisur në Ohër të Maqedonisë së Veriut samiti i “Ballkanit të Hapur”, ku marrin pjesë të gjitha vendet e rajonit me përjashtim të Kosovës që refuzon të jetë pjesëmarrëse.
Samiti është hapur nga lideri i vendit pritës, Kryeministri maqedonas, i cili foli për disa marrëveshje që do të nënshkruhen sot në këtë takim.
Ndërsa kryeministri Edi Rama në fjalën e tij është ndalur edhe tek Këshillimi Kombëtar i realizuar nga qeveria pak kohë më parë. I pari i qeverisë ka theksuar se nuk është pritur lufta në Ukrainë, për të ditur marrëdhënien speciale që ka mes Serbisë dhe Rusisë. Rama po ashtu u ndal edhe tek çështja e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë, por sipas tij kjo mosmarrëveshje zgjidhet vetëm duke u afruar. Si shembull konkret, Rama ka përmendur Francën me Gjermaninë, apo Japoninë dhe SHBA.
“Nuk kemi pritur luftën që mes Serbisë dhe Kosovës ka një histori të pazgjidhur. Por të ndenjurit me kurriz nga e ardhmja apo kthimit të syve nga e ardhmja ne kemi zgjedhur këtë të dytën. Por pa i mbyllur sytë tek problemet e pazgjidhura. Por kjo zgjidhet vetëm nëse ne afrohemi. SHBA kanë hedhur dy bomba në Japoni. Por një nga miqësit më të ngushta, është aleanca e SHBA me Japoninë, pas dy bombave atomike. Dhe urdhëroni ku është sot Japonia. Dhe nuk do ishte këtu Japonia nëse do qëndronte me kurriz nga SHBA dhe të uleshin në gjunjë para bombave. Ku janë sot Franca dhe Gjermania. Apo Izraeli me Shtetet e Bashkuara Arabe. Janë bashkë për të përfituar nga rruga e të ardhmes.” tha Rama.
I pari i qeverisë mes të tjerash kujtoi edhe kontratën e grurit me Serbinë, duke thënë se edhe pse në kohë krize, Serbia nuk e ndërpreu furnizimin me grurë për Shqipërinë.
“Ndalemi tek kontratat e grurit. Mes importimit nga Serbia në Shqipëri. Nuk u bllokuan siç fare mirë do ishin bllokuar nëse nuk do ishim në Ballkanin e hapur. Serbia ka marrë detyrime në reciprocitetin e kësaj. Mos është pak kjo? Apo duhet të mendojmë nëse nuk do merrnim dot grurit. Me çfarë do i ushqenim njerëzit që do u mungonte buka? Me konflikt apo me thirrje për tu futur në luftë?” tha Rama.
Për sa i përket energjisë, Kryeministri Edi Rama bëri një parashikim negativ duke thënë se na pret një dimër që problem nuk do jetë çmimi por mungesa e energjisë.
“Apo me energjinë. Jemi të gjithë në teh të thikës. Në horizont është një dimër që nuk ka problem çmimin por nuk do ketë fare energji për ta blerë. Nuk kemi luksin për retorikë kur njerëzit duan energji. Këtu do jemi dhe njësoj si me grurin do provohet e vërteta se Ballkani i Hapur nuk është as i imi, as i Vauçiç dhe askujt tjetër, por i njerëzve. Është i fermerëve.” tha Rama.
/e.d