Një 29-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal për kultivimin e drogës dhe kalim të paligjshëm të emigrantëve për në Britaninë e Madhe, është vetëdorëzuar në polici.
Jeton Memia, 29 vjeç kërkohej nga autoritetet britanike pas hetimi të Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit. Në kuadër të këtyre hetimeve 4 persona janë vendosur në pranga pasi dyshohen si një grup i strukturuar kriminal i cili përdorte emigrantët shqiptarë për të kultivuar kanabis.
Memia u vetëdorëzua dhe u mor në pyetje pasi akuzohet për prodhimin dhe furnizim me drogë si dhe për pastrim parash. Nuk dihet ende arsyeja pse ai vendosi të dorëzohet, por autoritetet dyshojnë se mund të jetë për shkak të një frike për ekzekutimin e tij.
Në një seri arrestimesh dy javë më parë në Uellsin e Veriut dhe Cheshire, 4 persona të tjerë u arrestuan nën dyshimin për vepra penale të kultivimit të drogës dhe pastrimit të parave, bëjnë të ditur autoritetet angleze.
Një burrë rreth të 50-tave u lirua me kusht, ndërsa dy persona të tjerë rreth të 60-tave u liruan dhe ndodhen nën hetim. Ndërkaq një 28-vjeçar shqiptar është dorëzuar pranë autoriteteve të emigracionit.
/e.d