Mariupoli është një ndër qytetet e Ukrainës që është shkatërruar më shumë gjatë luftës, e po ashtu me numrin më të madh të viktimave.
Tashmë nën pushtetin e rusëve, autoritetet kanë ngritur alarmin për përhapjen e mundshme të kolerës për shkak se qyteti është i mbushur me trupa të vdekur që nuk janë varrosur.
Tashmë qyteti portual është i karantinuar, teksa Petro Andryushchenko, këshilltar i kryebashkiakut të Mariupolit, tha për mediat në vend se qyteti po përgatitet për një epidemi pasi trupat e vdekur dhe mbeturinat po grumbullohen në qytet.
Andryushchenko, i cili u largua nga qyteti në fillim të luftës, citoi burimet e tij nga qyteti, ndërsa shtoi: “Fjala kolerë dëgjohet gjithnjë e më shumë në qytet mes zyrtarëve lokalë dhe mbikëqyrësve të tyre. Me sa mund të shohim epidemia pak a shumë ka filluar tashmë.”
Zyrtari tha se ata ishin në dijeni të rasteve të izoluara në Mariupol, ku shumica e infrastrukturës së qytetit është shkatërruar nga sulmet ajrore ruse.
Kyiv Independent raporton se ministria e shëndetësisë e Ukrainës ka paralajmëruar se varrosjet masive dhe qasja e dobët në ujë të pastër po krijonin rrezikun e kolerës në Mariupol. Ministria filloi raportimin e rasteve të dyshuara të kolerës në rajon më 1 qershor.
/e.d