Nga Skënder Minxhozi/
Me logjikën e Sali Berishës sot duhet të kishim asistuar në zgjedhjen president të Damian Gjiknurit ose Bledi Çuçit. Këtë tregon historia politike e tetë viteve kur PD zgjidhte kreun e shtetit, nga pozita e shumicës qeverisëse, duke çuar në Presidencë Bamir Topin dhe Bujar Nishanin. Nuk do të kishte asgjë të keqe që sot të ishte zgjedhur një socialist në krye të shtetit, pasi siç është thënë jo rrallë, në 30 vitet e fundit Shqiqëria ka pasur vetëm një kryetar shteti nga rradhët e forcës më të madhe politike të vendit.
“Konklava” socialiste nxorri fitues Bajram Begajn, shefin e shtabit të përgjithshëm, i emëruar e i dekoruar nga Ilir Meta. Presidenti në detyrë nuk e la përgjysëm ‘angazhimin’ ndaj pasardhësit të tij: e firmosi dekretin e lirimit nga detyra të Begajt si shef shtabi, që nga Turqia e largët. Për t’ja lënë më pas fushën të lirë shpërthimit të pritshëm të Sali Berishës në Kuvend, i cili deklaroi se papritur paskesh marrë vesh 48 orët e fundit se presidenti i sapovotuar qenka fajtor për masakrën me pronat e ushtrisë. Çuditërisht “pusetat” plasën vetëm sot. Asnjë akuzë nga Berisha dhe as nga mediat e tij satelite në dy vjet që Begaj shërbeu si shef shtabi (është njeriu i Ilirit, mos e sulmoni)!
Edhe Nënë Tereza të kandidohej sot nga Edi Rama në Parlament si presidente e Shqipërisë, Sali Berisha do ta kontestonte. Nuk mund të shpëtonte doemos as Bajram Begaj nga kjo sjellje, megjithëse pakkush mund të thotë sot se PS zgjodhi një president përçarës apo provokues për opozitën. E kundërta është e vërtetë: Bajram Begaj ka të gjitha kredencialet që të jetë një kryetar shteti pa teserë partie në xhep, në kuptimin real të termit. Këto orë po e akuzojnë për gjithçka, por jo sepse është servil apo militant i fshehur partie. Madje sipas portaleve, kështu e kishin cilësuar edhe patronazhistët e famshëm të PS në prag të zgjedhjeve të fundit.
Sali Berisha do të ishte shumë i kënaqur me një president socialist. Do të dëshëronte në zyrën e kreut të shtetit Taulant Ballën, Erion Veliajn apo Nikon Peleshin. Do ta mbushte gojën e do t’i frynte mushkëritë me piskamën e tij të njohur që thërret për protesta edhe kur ju uron fëmijëve 1 qershorin. Doktorit i duhej një president nga rradhët e PS, që të vijonte të konfirmonte tezën se Rama ka kapur shtetin. Tani që ra dhe Meta, shikoni sesi i kapi të gjitha pushtetet!
Me Begajn e ka të komplikuar fushën e betejës. Bajram Begaj është një lapsus në ekuacionin e tij politik. Prandaj si ai, ashtu edhe Alibeaj i tërhoqën deputetët megjithëse Rithemelimi kishte premtuar se do të merrte pjesë me votë kundër në seancë. E dini arsyen? Sepse kandidatura e Begajt rrezikonte të kalonte dukshëm kufirin e 85 votave, me dorën dhe votën e shumë prej opozitarëve të sotëm, brenda të gjitha fraksioneve të PD.
Prandaj si Berisha, ashtu dhe Alibeaj tërhoqën deputetë nga salla. S’e kanë me Bajramin, e kanë me istikamin e tyre që për shkak të një emri të cilin nuk e sulmon dot, i cili nuk ta ndez gjakun e nuk t’i errëson sytë, rreziku është që ta votosh e të ikësh në heshtje e të ulesh në kuadratin opozitar.
Rama ka zgjedhur të vijojë ta mbajë Presidencën si territor politik asnjanës, çka do të thotë se që nga largimi i Rexhep Meidanit nga Presidenca, do të mbushen 25 vjet pa një socialist në krye të shtetit. Shumëkush mund të thotë se ky institucion është një ornament pa vlerë, kur ke pushtetin qëndror. Aferim, por si t’ja bëjmë shpërthimeve të Berishës, që reagoi sot sikur të na kishte sulmuar Rusia, e jo sikur shefi i shtabit i një ushtrie të Aleancës Atlantike të merrte postin e presidentit?!
Përtej teatrit të opozitës në parlament, nga frika e rrjedhjes së votave, zgjedhja e Bajram Begajt është një gjest shtensionues në mes të një sezoni që pas shtatorit do të jetë shumë i tendosur. Një president de facto i të gjithëve dhe pa pigment partiak, është një notë e zbutur në një panair pasthirrmash dhe ulërimash. Duhej një person i rregullt dhe i qetë në atë zyrë, pas pesë viteve cirku politik të paraardhësit që quante qeverinë që dekretoi “grup i organizuar kriminal” apo që ftoi amerikanët ta vrasin me raketa te Mali me Gropa! Bajram Begaj s’ka plane të tilla për të ardhmen dhe kjo është një gjë e mirë për vendin.
abcnews.al
Më në fund pas 5 vitesh do të kemi një president racional, të matur,të qetë,të ndershëm,korrekt,punëtor,të disiplinuar,prind shembullor dhe profesor të asociuar në mjekësi.Faleminderit grupit parlamentar të PS dhe jo zoti Minxhozi për analizën tuaj perfekte të situatës politike dhe më gjerë në Shqipëri.Faleminderit.⭐