Presidenti i ri i Republikës, Bajram Begaj arriti që të zgjidhej në raundin e katërt me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.
Nga ana e opozitës, në procesin e votimit për Presidentin e ri të Republikës morën pjesë 6 deputetë:
Tre deputetët e LSI-së Monika Kryemadhi, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho dhe tre deputetët e PDIU-së, Nusret Avdulla, Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda.
Vota që iu bashkua 77 deputetëve të shumicës (74 të PS-së dhe 3 të PSD-së) me shumë gjasë erdhi nga PDIU, pasi deputetët e LSI që u bën pjesë e votimit në mënyrë demostrative nuk pranuan të futeshin në dhomën e fshehtë, por votuan përpara kamerave.
Por procesi i zgjedhjes së Presidentit tregoi përçarjen e thellë të opozitës. Pjesë e seancës për zgjedhjen e presidentit nga ana e opozitës ishin 26 deputetë, ku përfshiheshin ata demokratë të cilët mbështesnin Sali Berishën, LSI me 3 anëtarët e saj dhe 3 deputetët e PDIU-së.
Kreu i PD-së, Sali Berisha së bashku me grupin e deputetëve demokratë bojkotoi procesin e votimit të zgjedhjes së presidentit me arsyetimin se një ushtarak në detyrë nuk mund të mbajë funksione të tjera sipas nenit 167 të Kushtetutës.
Presidenti i ri do ta marrë detyrën pas 24 Korrikut kur përfundon mandati i Presidentit Meta.
/a.r