Nga Frrok Çupi
Domethënë: Primadona- Hyjnorja- Divjaka!
Kaq është thënë në këto tre fjalë.
Duket se Divjaka vjen nga dy të parat: Diva dhe Divine. Edhe pse i thua ‘Diva dhe Divine’, prapë janë fjalë modeste për realitetin. Kush nuk e njeh atdheun, nuk mund të besojë ‘sa qiellor’ është ky i shkretë. Edhe ata që janë detyruar ta njohin, i varen në qafë dhe shajnë nga mëngjesi në mbrëmje. Disa e kanë për detyrë ta shajnë; disa fitojnë diçka duke e sharë; disa kanë helm në zemër dhe nuk e dinë ça shikojnë as në Divjakë, as në Breg, as në Vermosh.
Divjaka tani është një qytet i këndshëm, i freskët, i qetë, jetëgjatësor. Ditën e diele burrat mbushin shëtitoren dhe takohen për kafe; burrat e moshuar- desha të them. Më krijuan të njëjtën shije si ‘venedikasit e Shkodrës’. Këta janë shkodranët, në fakt; por kur dalin për në kafe, si venedikasit e vjetër, veshin kostume të mira dhe këmisha të bardha. Kryetari i Bashkisë, Fredi Kokoneshi, tha se ‘njerëzit këtu nuk duken; në mëngjes shkojnë e në mbrëmje kthehen nga puna’. Nga Lindja ndodhen kodrat e fushat- tanimë të qëndisura me shtëpi, vreshta, parcela e rrugë që të çojnë o në kryeqytet, o në Vlorë. Perëndimin e kanë zënë pishat e famshme që nuk ngrihen nga toka, por bien nga qielli si perde të rënda skene ku luhet teatri i dyfishtë: Andej deti dhe dunat e rërës; këndej laguna dhe qyteti që jetojnë si dy qytete më vete.
Gjithçka këtu bashkohet e ndahet, jo si në dashuri platonike, por si në interesa jete.
Pse Divjaka quhet ‘E para’ ose ‘Diva’?!
Divjaka është Dive edhe për vreshtat dhe verën më të mirë në botë.
Diva nuk është vetëm rrënjë e emrit ‘Divjaka’. Diva këtu ka edhe kuptimin e sotëm të artistes së Madhe. Divjaka nuk është vetëm vendi i perandorëve ilirë, por edhe ‘teatri i zonjave’. Në sitet arkeologjike të zonës është regjistruar një nga portretet më të hijshme të gdhendur në gur: Erinia ishte perëndesha e hakmarrjes dhe është gjetur ne murin e jashtëm te Kishës se Divjakës. Çuditshëm, flokët e saj kishin formë gjarpërinjsh; dhe kjo ‘Diva- Divjakë’ është mbrojtur me gjithçka, edhe me frikën e gjarpërinjve.
Si u mbrojt këta 30 vjet të tmerrshëm Divjaka, kur u rrënua gjithë vendi? Me ‘gjarpërinj’ u mbrojt Divjaka. Vlora u sulmua dhe u rrënua, Tirana u rrënua disa herë; Cërrikut dhe Kuçovës i vunë flakën në vitin 1997; vetë selia e qeverisë dhe selia e Televizionit Publik Shqiptar u rrënuan në vitin 1998… Por Divjaka u mbrojt nga ‘gjarpërinjtë’ e vet. Divjaka është e Para që ka mundur ta bëjë këtë. Në Divjakë të thonë se ‘lagunën e mbrojti Aldo Bare’. Aldo Bare është njeriu që nuk ka njeri që nuk ia di emrin; por për keq. Ai tani ndodhet në burg, sepse ka kryer krime. Por Lagunën e mbrojti në vitin 1997 dhe nuk la njeri të shkelte…. Pse? Sepse e donte për vete? Sigurisht!, e donte për vete, Aldo nuk ishte një Robin Hud, thjsht përfitues me forcë; por tani Lagunën e kemi ne. Sikur të ndodhte kështu edhe me krimin tjetër, shtetëror, sot do ta quanim një dhuratë. Të paktën, siç ndodhi me Aldon, të na kthenin paratë e vjedhura përmes korrupsionit madhor. Këta nuk po na i kthejnë.
Me shpresë te zoti se Lagunën nuk do të na e marrë një pushtim tjetër, pushtim i butë, me pallate.
Krim për krim është!
Në Divjakë ka tjetër klimë qytetare; këtu sendi nuk mallkohet e mbahet në ferr. Edhe njerëzit, me njëri tjetrin, nuk kanë as një përplasje. Hajde pak në pedonalen e qytetit: Në skajin verior ndodhen dy monumente ‘heroizmi’, të dyja në krah të njëri tjetrit dhe kundër njëri tjetrit. Njëri është ‘Dëshmorët e Atdheut’- 1944; tjetri është ‘Martirët e Demokracisë’-1991. Po t’i marrësh sipas histerisë së përgjithshme post- komuniste, ‘dëshmorët e atdheut’ do t’i kishin eliminuar këta ‘të demokracisë’, ashtu si këta ‘të demokracisë’ i refuzojnë ata të “Luftës’ dhe u heqin varret. Këtu i venë së bashku; Divjaka është e para që e bën këtë ‘naivitet’.
E para është Diva.
Divine- Divjakë!
Hyjnore (didvine) është vërtet; nuk e them nga dehja e atdhedashurisë.
Të dy varkëtarët e shërbimit në Lagunë, dy burra të rinj e peshkatarë nga Divjaka, na njohën me atë krijesë të “Qiellit’, që rrallë shtet tjetër në botë e ka. Po të nisësh rrugën në gjatësinë e Lagunës, ta dish se ke kalëruar mbi një avion që të çon mes qiejve: Poshtë nesh e varkës reflektohet qiell, përballë nesh ka vetëm qiell, dhe lart qielli. Nëse ka bota një vend të qetë ku nanurisin shpirtrat, kjo është Laguna e Divjakës. Ka një sipërfaqe prej 4.500 hektarë; ndoshta më e madhja në kontinent; por më e bukura- po e po.
Laguna ka mijëra ishuj; sa më shumë afrohet stina e turizmit veror, me qindra ishuj të rinj lindin.
5 për qind e shpendëve të të gjithë rruzullit, ndodhen në Lagunën e Karavastasë. Këtu jetojnë 230 specie zogjsh, që rrallë në botë mund të ndodhë. Karavastaja është vendi më i afërt i Europës për në drejtim të Lindjes, ku jeton pelikani kaçurrel; edhe disa çifte të pelikanit blu, gjithashtu. Ishulli i pelikanëve ndodhet në mes të Lagunës, i rrethuar nga roje, nga përkujdesje dhe i vëzhguar vetëm me dylbi. Mbrohen në fshehtësi të madhe, si gjeneralë lufte ose si diktatorë shtetesh… Në Karavasta gjen 29 lloje amfibësh dhe reptilësh. Ndodhen 25 lloje gjitarësh; rrallë kund tjetër nuk e gjeni vidrën, nuselalën, kaprollin dhe dhelprën e kuqe.
Divjaka si ‘Divine’ ka lidhje me ‘Qielloren’; edhe ata njerëz që vijnë këtu, papritur hyjnë në lidhje me hyjnoren: Lart qiell, nën këmbë qiell me pemë, para teje- qiell dhe zërat e miliona krijesave të natyrës të dhurojnë ‘kupën qiellore’.
Po nuk erdhe, nuk njeh atdheun tënd.
Divjaki, i thonë edhe DERRIT disa popuj sllavë or tëj Frroki.
Po thuaj gjithe fshatrat e Lushnje Fier Berat, kanë prejardhje në rrënjë nga sllavishtja or tëj voc….